SHBA-ja ndan vaksina kundër COVID-19 për Kosovën

SHBA-ja ndan vaksina kundër COVID-19 për Kosovën
Çlirim Gashi

03.06.2021 / Lajme

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i ndajnë Kosovës një numër të konsiderueshëm të vaksinave për COVID-19. Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kosovës për vaksina, ka njoftuar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

“Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Në njoftimin e SHBA-së bëhet e ditur se gjashtë milionë doza do të ndahen për rajonet me prioritet dhe vendet partnere përfshirë Meksikën, Kanadanë, Republikën e Koresë, Bregun Perëndimor dhe Gazën, Ukrainën, Kosovën, Haitin, Gjeorgjinë, Egjiptin, Jordaninë, Irakun e Jemenin.

Njoftimi i plotë i Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani:

PRESIDENTI BIDEN NDANË VAKSINA PËR KOSOVËN

Më 19 mars 2021, i kam shkruar Presidentit Biden duke kërkuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dhurimin e vaksinave në kohën kur Kosova ishte i vetmi shtet në Evropë që ende nuk kishte filluar administrimin e tyre. Më 19 Prill 2021 Presidenti Biden u përgjigj pozitivisht në të cilën ai u zotua për ta trajtuar kërkesën tonë rreth vaksinave. Sot, ne jemi të lumtur të njoftojmë se Presidenti Biden, në emër të SHBA-ve, ka vendosur të dhurojë një numër të rëndësishëm të vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës.

Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Biden për këtë gjest bujar dhe për dhurimin e vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës pas kërkesës së adresuar atij në muajin mars. Njoftimi zyrtar i sotëm është tjetër dëshmi e mbështetjes së palëkundur që vendi ynë e gëzon historikisht nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Biden ka qenë gjithmonë mik i Kosovës dhe ky donacion ilustron kujdesin dhe konsideratën e pakursyer që ai vazhdon të tregojë ndaj popullit tonë. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës e falënderoj përzemërsisht.

Kosova dhe institucionet tona vazhdojnë të mbeten të palëkundura në orientimin Euro-Atlantik dhe të njëjtën politikë e kanë ndjekur edhe në sigurimin e vaksinave.Zoti e bekoftë Kosovën dhe aleatin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

RAPORTO