ShBA-ja dërgon një batalion të Gardës së Iowas, 33 ushtarë zbarkojnë sot në Kosovë

28.12.2023

Tridhjetë e tre ushtarë të Gardës Kombëtare të Iowas , Batalioni 2-211 Mbështetës i Përgjithshëm i Aviacionit, do të vendosen këtë të premte në Kosovë për një turne nëntë-mujor. Ky mision është në mbështetje të operacionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë. “Misioni i tyre primar do të jetë kryerja e operacioneve të drejtpërdrejta ajrore, mbështetja […]

ShBA-ja dërgon një batalion të Gardës së Iowas, 33 ushtarë zbarkojnë sot në Kosovë Foto: Ilustrim

Tridhjetë e tre ushtarë të Gardës Kombëtare të Iowas , Batalioni 2-211 Mbështetës i Përgjithshëm i Aviacionit, do të vendosen këtë të premte në Kosovë për një turne nëntë-mujor.

Ky mision është në mbështetje të operacionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.

“Misioni i tyre primar do të jetë kryerja e operacioneve të drejtpërdrejta ajrore, mbështetja për furnizim me karburant dhe mirëmbajtje për forcat e ShBA-së, koalicionit dhe për forcat e Sigurisë së Kosovës”.

Aty thuhet se misioni paqeruajtës ndërkombëtar i udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë është një mision i qëndrueshëm që është i përqendruar në stabilitetin lokal dhe rajonal brenda vendit dhe Evropës. Lindore.

Ceremonia e dërgimit të komunitetit do të mbahet në Qendrën e Mbështetjes së Aviacionit të Ushtrisë së Aeroportit Waterloo (2245 W Big Rock Rd, Waterloo, IA 50703) në orën 9 të mëngjesit të së premtes (sipas kohës lokale), 29 dhjetor dhe është e hapur për publikun.

Njësiti thuhet se do të niset me avion ushtarak menjëherë pas ceremonisë, ndërsa i njëjti shkon në kampin Fort Cavasos, Teksas për të përfunduar stërvitjen para mobilizimit.

Pas sulmit terrorist në veri më 24 shtator, NATO ka dërguar trupa shtesë në Kosovë, duke katërfishuar praninë në veriun e Kosovës.

Gjithashtu janë rritur edhe atrullimet përgjatë vijës kufitare.

Kryeministri, Albin Kurti, javën e kaluar ka paralajmëruar sulme të reja të mundshme në veriun e Kosovës.

Më 24 shtator, një pjesëtar i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë kur persona të armatosur, rreth 30 sosh, sulmuan njësitet policore në fshatin Banjskë – zonë e banuar me shumicë serbe në veri të vendit.

Në përleshjet që pasuan midis grupit të armatosur dhe forcave të rendit u vranë tre terroristë dhe u arrestuan gjashtë persona që dyshohet se ishin të lidhur me ta, disa nga të cilët më pas u liruan.

Policia e Kosovës pasi mori nën kontroll Manastirin në fshatin Banjskë gjeti një sasi të madhe armatimi dhe mjetesh ushtarake, në mesin e tyre edhe automjete me mbishkrimin KFOR.

Përgjegjësinë për organizimin e grupit të armatosur e pati marrë Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve të Kosovës. Ai u lirua nga Gjykata e Lartë e Serbisë, një ditë pasi u ndalua nën dyshimet se ka kryer një sërë veprash – përfshirë trafikim armësh dhe krime kundër sigurisë së përgjithshme.

Sulmi u cilësua si akt terrorist dhe agresioni ndaj shtetit të Kosovës dhe u dënua edhe nga diplomatët perëndimorë.