Sfidë për bizneset, rreth 33% e punëtorëve do të emigrojnë gjatë vitit 2024

15.11.2023

Rreth një mijë biznese të anketuara nga Instituti Riinvest në Kosovë, kanë raportuar se 17.59 për qind e punonjësve të tyre i kanë njoftuar se do të emigrojnë gjatë vitit të ardhshëm. Kështu të paktën u tha nga drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Alban Hashani në Forumin Ekonomik Vjetor, i cili në fokus ka ndërtimin […]

Sfidë për bizneset, rreth 33% e punëtorëve do të emigrojnë gjatë vitit 2024 Foto: Ilustrim

Rreth një mijë biznese të anketuara nga Instituti Riinvest në Kosovë, kanë raportuar se 17.59 për qind e punonjësve të tyre i kanë njoftuar se do të emigrojnë gjatë vitit të ardhshëm.

Kështu të paktën u tha nga drejtori ekzekutiv i këtij instituti, Alban Hashani në Forumin Ekonomik Vjetor, i cili në fokus ka ndërtimin e një modeli të ri për rritjen ekonomike, dinamikat e tregut të punës, e sfidat e tashme dhe të ardhshme në këtë fushe.

Ai tha se numri më i madh i kosovarëve që largohen nga vendi punojnë në ndërtimtari.

“Sektori i ndërtimit në Kosovë është më i prekuri sa i përket largimit të punëtorëve. Vlerësimet janë që 32.72 për qind e punëtorëve do të emigrojnë gjatë vitit të ardhshëm. Për të frenuar këtë trend, 79 për qind e bizneseve kanë rritur pagat e tyre dhe rritja e pagave ishte 22.23 për qind. Mbi një e treta e bizneseve raportojnë se do të vijojnë me rritjen e pagave, përderisa 24.5 për qind e tyre planifikojnë të përmirësojnë kushtet e punës”, shtoi ai.

Hashani tha se rekomandimi i tyre është qe të bëhet rishikimi i politikave ekzistuese ekonomike dhe politikave buxhetore në favor të investimeve kapitale.