“Serbia po ngec nën barrën e Kosovës”- gjithçka nga takimi Kurti-Jovanoviq në prag të zgjedhjeve në Beograd

04.12.2023

Dy javë para mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi, politikani liberal nga Beogradi, Çedomir Jovanoviq qëndroi për vizitë të shkurtër në Kosovë. Jovanoviq të dielën është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kurti dhe politikani serb biseduan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi, dhe raportet mes dy vendeve. Gjithashtu sipas një […]

“Serbia po ngec nën barrën e Kosovës”- gjithçka nga takimi Kurti-Jovanoviq në prag të zgjedhjeve në Beograd Foto: Ilustrim

Dy javë para mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi, politikani liberal nga Beogradi, Çedomir Jovanoviq qëndroi për vizitë të shkurtër në Kosovë.

Jovanoviq të dielën është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti dhe politikani serb biseduan për zhvillimet e fundit në Kosovë dhe Serbi, dhe raportet mes dy vendeve.

Gjithashtu sipas një njoftimi për media nga Zyra e Kryeministrit, thuhet se ata biseduan edhe për nevojën e fuqizimit të sundimit të ligjit në Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e demokratizimit të shoqërive dhe institucioneve, pluralizmit politik, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare si garant të paqes dhe sigurisë në gjithë rajonin.

Në anën tjetër, Jovanoviq në një video të publikuar në platformën “X” tregoi se çfarë bisedoi me kryeministrin Kurti.

“Kurtin e njoh prej 30 vitesh, ai dhe unë kemi kaluar shumë në jetën tonë dhe pas këtyre bisedave besoj se gjaku i derdhur në Banjskë është gjaku i fundit i derdhur në konfliktin mes popullit serb dhe shqiptar në Kosovë…”, ka thënë ndër tjerash Jovanoviq.

Ai gjithashtu citohet të ketë thënë se “nuk duhet të heshtim për Kosovën”.

“Ne kemi zgjedhje së shpejti dhe Serbia po ngec nën barrën e Kosovës. Duhet thënë e vërteta dhe duhet marrë një rrugë tjetër. Të gjithë e dini se kam thënë të vërtetën shumë kohë më parë, më shumë se 20 vjet më parë, dhe për këtë jam cilësuar si tradhtar”, është shprehur ai.

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq i ka shpallur zgjedhjet e përgjithshme për 17 dhjetor të këtij viti.

E kryeministri Albin Kurti, javë më parë ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë një marrëveshje të posaçme, në mënyrë që pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë, që kanë shtetësi të dyfishtë, të mund të votojnë në territorin e Kosovës për zgjedhjet parlamentare serbe, të caktuara për 17 dhjetor.