Sektori i Hotelerisë s’e pranon mbylljen as kthimin e TVSh-së prej 18%, bizneset në prag të falimentimit

25.02.2021

Kryetari i Odës së Hotelerisë së Kosovës, Hysen Sogojeva ka thënë se në rast të shtrëngimit të masave, si shkak i rritjes së rasteve me Covid-19, ky sektor nuk do të respektojë këtë vendim. Sipas Sogojevës mbyllja eventuale nuk do të ishte masë e duhur, por shkatërrim i biznesit kosovar. Ai ka kërkuar që asnjë […]

Sektori i Hotelerisë s’e pranon mbylljen as kthimin e TVSh-së prej 18%, bizneset në prag të falimentimit Foto: Ilustrim

Kryetari i Odës së Hotelerisë së Kosovës, Hysen Sogojeva ka thënë se në rast të shtrëngimit të masave, si shkak i rritjes së rasteve me Covid-19, ky sektor nuk do të respektojë këtë vendim.

Sipas Sogojevës mbyllja eventuale nuk do të ishte masë e duhur, por shkatërrim i biznesit kosovar. Ai ka kërkuar që asnjë masë mos të merret pa u konsultuar me njerëz profesionistë.

“Partitë politika kanë mbajtur fushata të pakontrolluara, absolut nuk i janë përmbajtur udhëzimeve të cilat vetë i kanë aprovuar.

Në kuadër të kësaj meqëse bizneset hoteliere turistike gjinden në një situatë mjaftë të vështirë po i paralajmërojmë që nëse merret ndonjë masë pa u konsultuar me neve ne nuk do ta respektojmë. Nuk e respektojmë për arsye se ata janë shkelësit e masave”, është shprehur ai për EkonomiaOnline.

“Nuk është masa adekuate mbyllja, ajo është shkatërrim i biznesit. Ne kemi thënë edhe sa herë nuk është mirë të merren vendime ad-hocke pa u konsultuar me odat, pa u konsultuar me njerëz profesionist, me bazën se si është gjendja e bizneseve. kemi mund edhe të kalojmë më mirë e ta ruajmë shëndetin më mirë po të ishim konsultuar.

Në kuadër të këtyre masave ne po e themi publikshit që lini njerëzit të punojnë, merrni masa ndaj atyre të cilët nuk respektojnë masat. Ne jemi nisur prej anëtarëve të odës, lirisht edhe anëtarëve tanë jo me dënuar por edhe me mbyllë, vetëm me ja dhënë mundësinë tjetrit të punojë i cili respekton masat.

Ne u kemi dorëzuar guidën, manulainë tonë e kanë, mes tij është bërë një udhëzim i përbashkët, përmbajuni atyre udhëzimeve, absolut nuk do të vinim deri te rritja e rasteve dhe nuk kishim me e dërguar biznesin në falimentim”, ka shtuar ai.

Sogojeva edhe njëherë ka bërë të qartë se nuk pranojnë kthimin e normës prej 18% të TVSh-së pas pandemisë.

“I kemi 12 kërkesa dhe secila prej tyre është e realizueshme sepse ne nuk dalim jashtë rrjedhave normale që janë në Kosovë, ne nuk kërkojmë kërkesa astronomike.

Por duke i studiuar gjërat duke i prekë bizneset, tu i pa hallet e dertet ne si kryesi marrim vendime që kjo është e mirë për bizneset të realizohet. Për momentin e kemi 8 për qind TVSh-në, me përfundimin e pandemisë është thënë se do të kthehet si më herët, por ne nuk e lejojmë sepse në rajon e kanë edhe 6 për qind. Ne e kemi 8 kurse para saj ka qenë 18 për qind”, ka thënë ai.