Seanca solemne për 16-vjetorin e Pavarësisë, kujtohen dëshmorët dhe të gjithë ata që dhanë jetën për liri

17.02.2024

Kuvendi i Kosovës sot ka mbajtur seancë solemne me rastin e 16-vjetorit të Pavarësisë.

Seanca solemne për 16-vjetorin e Pavarësisë, kujtohen dëshmorët dhe të gjithë ata që dhanë jetën për liri Foto: Ilustrim

Presidentja Vjosa Osmani në fjalimin e saj ka thënë se 17 Shkurti është datë unike që bashkon qytetarët.

“17 Shkurti është e arritura jonë më e madhe historike, është reflektim i idealit tonë, stërgjyshërve e i brezave të tërë ndër shekuj për të ndërtuar shtetin e lirë e të pavarur. Republika e jonë po konsolidohet çdo ditë duke i nderuar qytetarët e vet dhe emrin e tyre në botë. Për qytetarët e Kosovës të kesh shtet ka qenë gjithmonë sakrificë e ideal”, tha presidentja.

Ajo më tej shtoi se përkundër vështirësive shekullore qytetarët e Kosovës rezistuan.

“Kosova sovrane është dëshmi e asaj që mund të arrihet kur vullneti i pamposhtur i qytetarëve bashkohet rreth një qëllimi të përbashkët”, tha presidentja.

Ajo kujtoi të gjithë ata që dhanë jetën për liri e pavarësi dhe që nuk u dorëzuan pavarësisht të gjithave. Presidentja e vendit foli edhe për aleatët e Kosovës.

“Në mënyrë të veçantë dua t’u falënderohem miqve tanë, miqve të lirisë. Ju ishit me ne përgjatë gjithë rrugëtimit tonë, kur neve na mohohej çdo e drejtë, shtypeshim mizorisht, e kur luftonim për liri…. kur u çliruam dhe ndërtuam shtetin tonë e ne ju kemi pranë pa asnjë dyshim edhe sot në mbrojtje të sovranitetit, kufijve tanë dhe demokracisë”, tha e para e shtetit.

Presidentja Osmani më tej tha se ndër këto aleanca, aleanca me SHBA-të qëndron si shtylla më e fuqishme e shtetësisë, ndërkaq rrugëtimi drejt institucioneve euroatlantike sipas saj është i pa alternativë.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca në fjalimin e tij tha se sot po festohet dita e shtetit, Dita e Pavarësisë.

“I kemi në zemër të gjithë ata që i dolën përballë Serbisë dhe nuk kursyen asgjë për Kosovën. Për të lindur shteti ynë, ne duruam shumë dhe gjatë derisa bota u bindë se ne kemi të drejtë, kur bota e kuptoi se lufta jonë është e pastër. Ne si popull e kemi durimin dhe guximin”, tha Konjufca.

Kryetari i Kuvendit falënderoi NATO, SHBA dhe të gjitha vendet që e përkrahën Kosovën.

Kurse, kryeministri i vendit, Albin Kurti, tha se Kosovës i dalim zot të gjithë.

“Kosovën e kanë pjekur parakohe, atë e ka pjekur qëndresa e popullit. Koha e saj kishte ardhur në vitet e 80’ta. Për të u luftua. Kosova fitoi simpatinë e shteteve evropiane që i dolën përkrahë”, tha Kurti.

Në fjalimin e tij, Kurti foli edhe për raportet me Serbinë, ku tha se ky shtet ka zgjedhur terrorizmin.