Fokusi kryesor mbetet zgjedhja e kryeparlamentarit, një proces i cili ka ngecur prej javësh.Seanca e tetë e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e kryeparlamentarit do të rifillojë sot në orën 10:00. Pas disa javësh bllokadë dhe shtatë tentativave të dështuara, deputetët do të mblidhen sërish në një përpjekje për të thyer ngërçin politik që ka penguar konstituimin e plotë të legjislaturës.

Kandidatja e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu, vazhdon të mos sigurojë votat e nevojshme për të marrë drejtimin e Kuvendit. Deri më tani, ajo ka marrë mbështetjen e 57 deputetëve të LVV-së, një numër ky i pamjaftueshëm për shumicën e kërkuar.

Partitë opozitare kanë qenë të qarta në qëndrimin e tyre, duke deklaruar se nuk do ta votojnë Haxhiun. Sipas tyre, ajo nuk është një figurë unifikuese që mund të sigurojë bashkëpunimin e nevojshëm mes forcave politike në Kuvend.

Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka theksuar se partia e tij ka përmbushur obligimin kushtetues duke propozuar dhe votuar për kandidaten e tyre. Ai ka insistuar se bllokada nuk po shkaktohet nga votat pro Haxhiut dhe se LVV nuk mban përgjegjësi për mungesën e votave nga partitë e tjera.

Në anën tjetër, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka akuzuar LVV-në për “teke” dhe këmbëngulje të paarsyeshme. Ai ka theksuar se pa një shumicë parlamentare të qartë, nuk mund të imponohet vullneti politik dhe i ka kërkuar LVV-së të propozojë një kandidat tjetër që do të mund të merrte besimin e shumicës së deputetëve.

Ndërkohë, vetë kandidatja për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, ka shprehur skepticizmin e saj rreth mundësisë së zhbllokimit të situatës në seancën e sotme. Në një intervistë për emisionin “Përballje”, ajo ka rikujtuar se konstituimi i Kuvendit ka ngecur që nga 15 prilli, fillimisht për shkak të refuzimit të opozitës për të votuar verifikimin e mandateve, dhe tani për shkak të kundërshtimit ndaj kandidaturës së saj.

“Nuk jam shumë optimiste që situata do të ndryshojë në seancën e së martës pasi qëndrimet e subjekteve opozitare janë bërë të qarta publikisht. Për bindjen time, mungon vullneti për të konstituar Kuvendin dhe për të kaluar më tej në procedurat për zgjedhjen e Qeverisë”, ka deklaruar Haxhiu.

Mbetet të shihet nëse seanca e sotme do të sjellë ndonjë zhvillim të ri në këtë proces të stërzgjatur, apo nëse Kosova do të vazhdojë të mbetet pa një kryeparlamentar dhe pa lëvizje drejt formimit të qeverisë së re.