SBASHK-u nuk heq dorë nga grevat, kundërshton mbylljen e shkollave

SBASHK-u nuk heq dorë nga grevat, kundërshton mbylljen e shkollave

SBASHK-u ka kërkuar edhe një herë nga kryetari i Komunës së Kamenicës Qendron Kastrati që të heqë dorë nga ideja e tij për mbylljen e disa shkollave si pjesë e reformave në arsim, duke e quajtur këtë një vendim të ngutshëm dhe të pa analizuar mirë.

Udhëheqësit e SBASHK-ut gjatë një takimi me kreun e Kamenicës kërkuan që kjo çështje të debatohet  në nivelin qendror pas konstituimit të institucioneve të Kosovës që do të dalin nga zgjedhjet e tetorit, në të kundërtën paralajmëruan se do të ketë greva në të gjitha shkollat e komunës së Kamenicës.

Sipas Jasharit, fillimisht greva do të fillojë në Kamenicë e që më pas mund të përshkallëzohet edhe në nivel vendi.

“Pra nëse ndodh kështu në Kamenicë, në shtator do të ketë greva. Fillimisht grevë do të ketë në Kamenicë për këtë shkak. Por, do të përshkallëzohet në shenjë solidaritet me kolegët në Kamenicë, edhe në komunat tjera mund të ketë greva, qofshin ato me orë ose do të ketë grevë edhe në nivel vendi”, është shprehur ai.

Në këtë takim kryetari  Kastrati pohoi se ideja e tij nuk është debatuar në asnjë seancë me asamblistët e kësaj komune, duke konsideruar se për këtë nuk ka nevojë. 

Ndër të tjera Jasharaj ka thënë se Kamenica do të duhej që të planifikonte me kohë çështjen e shkollave.

“Komuna e Kamenicës është dashur të bëjë planifikim me kohë, dhe ne nuk lejojmë të mbyllen shkollat pa asnjë arsye. Po të ndodhte në nivel vendi atëherë institucionet e shtetit do të dinin çfarë të bënin dhe do të komunikonin me SBASHK-unë në mënyrë që të gjejmë një zgjidhje, sepse janë në pyetje nxënësit, shkollat e të cilëve mbyllen me arsimtarët. Po them është një angazhim i mundshëm aq ma tepër kur ajo quhet reformë, mirëpo kjo nuk është reformë por mbyllje shkollave”, ka theksuar ai.

Në bazë të reformës parashihet që nxënësit do të sistemohen nëpër shkolla përmes transportit të organizuar dhe siguruar nga Komuna. Cikli i ultë (klasët 0-5) do të jetë i ndarë nga cikli i lartë (klasët 6-9) në objekte shkollore të veçanta.

SBASHK edhe njëherë ka kërkuar nga kryetari Kastrati që ta tërheqë idenë për mbylljen e disa shkollave, në mënyrë që procesi mësimor të fillojë  pa probleme.

RAPORTO