SBASHK-u mirëpret rikthimin e nxënësve në shkolla

16.04.2021

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se nga e hëna, me 19 prill, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar mësimi do të fillojë pa kufizime për pjesëmarrje fizike të nxënësve në shkolla. Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, IKSHPK-në e Ministrinë e Shëndetësisë është marrë vendim që nxënësit të rikthehen në objekte […]

SBASHK-u mirëpret rikthimin e nxënësve në shkolla Foto: Ilustrim

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka bërë të ditur se nga e hëna, me 19 prill, në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar mësimi do të fillojë pa kufizime për pjesëmarrje fizike të nxënësve në shkolla.

Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, IKSHPK-në e Ministrinë e Shëndetësisë është marrë vendim që nxënësit të rikthehen në objekte shkollore.

Komunat dhe shkollat do të vendosin të punojnë sipas njërit nga skenarët A, B ose C, varësisht prej situatës me pandeminë.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) ka mirëpritur lajmin për rikthimin e nxënësve në shkolla.

Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj ka thënë se mësimdhënësit e preferojnë mësimin në shkolla si edhe në dobi të nxënësve.

Jasharaj tutje tha se janë bërë të gjitha përgatitjet në objektet shkollore, duke filluar nga dezinfektimi.

“E kemi pritur mirë këtë lajme ngase edhe që nga fillimi mësimdhënësit e Kosovës janë deklaruar se shumë më tepër e preferojnë mësimin në institucione arsimore nga vetë fakti se edhe prindërit edhe qytetarët e Kosovës janë shprehur se mësimi në shkolla është më i lehtë për tu bërë.

Edhe statistikat e MASh-it tregojnë se një numër i madh i tyre nuk ka mundur të kyçet dhe jo me fajin e tyre, por në mungesë të kushteve dhe pajisjeve teknologjike”, ka thënë kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj për EkonomiaOnline.

“…momenti i kthimit në shkolla është edhe një dëshmi e përkushtimit të punëtorëve të arsimit por besoj se edhe institucionet edhe shteti duhet t’i përgjigjet në të njëjtën mënyrë dhe shteti i Kosovës duhet të bëjë çmos që të gjejë miq ndërkombëtarë që të sigurojnë sa më shumë vaksina në mënyrë që kërkesa jonë ngase në këtë mënyrë do të jemi më të sigurt”.