SBASHK-u kërkon 100 euro shtesa për mësimdhënësit, në të kundërtën shtyhet mësimi

06.01.2021

Në dhjetor të vitit të kaluar Ministria e Arsimit ka marrë vendim që gjysmëvjetori i dytë i procesit mësimorë të fillojë me 18 janar të vitit 2021, por kjo datë edhe mund të shtyhet nëse nuk plotësohen kërkesat e SBASHK-ut. Të paktën kështu ka lënë të nënkuptohet kryetati i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj. Jasharaj në një […]

SBASHK-u kërkon 100 euro shtesa për mësimdhënësit, në të kundërtën shtyhet mësimi Foto: Ilustrim

Në dhjetor të vitit të kaluar Ministria e Arsimit ka marrë vendim që gjysmëvjetori i dytë i procesit mësimorë të fillojë me 18 janar të vitit 2021, por kjo datë edhe mund të shtyhet nëse nuk plotësohen kërkesat e SBASHK-ut.

Të paktën kështu ka lënë të nënkuptohet kryetati i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Jasharaj në një prononcim për Telegrafin tha se që nga fillimi kishin mbështetur vendimin e MASH-it për përfundimin para kohe të periudhës së parë të procesit mësimor dhe për fillimin e periudhës së dytë më 18 janar 2021 duke u bazuar në faktin se kjo është bërë edhe me rekomandimin e Institutit Kombëtar të Shëndet Publik dhe të Ministrisë së Shëndetësisë për arsye të situatës së rënduar nga pandemia dhe shtimit të vazhdueshëm të numrit të të prekurve të nxënësve dhe punëtorëve arsimor nga COVID-19.

Por, ai e la të hapur mundësinë e shtyrjes së fillimit të procesit mësimorë, në rast se nuk gjejnë përkrahje kërkesat e tyre.

Jasharaj ka treguar se kërkesë e tyre është një pagesë shtesë prej 100 eurove për çdo muaj deri sa zgjat pandemia.

Ai ka shtuar se këtë kërkesë të punëtorëve të arsimit e kanë prezantuar në takimin e 30 dhjetorit me ministrin Ramë Likaj dhe zëvendësministrin Xhavit Rexhaj.

Jasharaj më tej shtoi se janë në pritje të nënshkrimit të Kontratës së re Kolektive të Arsimit pasi Komisioni i përbashkët me përfaqësues të MASH-it dhe SBASHK-ut kanë zhvilluar disa takime dhe kanë arritur pajtueshmëri për përmbajtjen e tekstit final të Kontratës Kolektive të Arsimit, duke u shpreh i bindur se do të nënshkruhet në fillim të javës së ardhshme në mes MASH-it dhe SBASHK-ut.

Rikujtojmë, se në Komunën e Suharekës gjatë gjysmëvjetorit të parë të procesit mësimor i cili kishte filluar në dy faza për shkak të pandemisë COVID-19 dhe kishte përfunduar më herët se zakonisht, janë infektuar 87 mësimdhënës dhe 19 nxënës, këtë e kishte bërë të ditur për SuharekaOnline Drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani.