SBASHK: Gjykata Kushtetuese të veprojë drejt e t’i japë dritë të gjelbër Ligjit për Paga

10.03.2020

Sindikalistët e arsimit kanë deklaruar se do të presin që Gjykata Kushtetuese t’i japë dritën e gjelbër Ligjit të Pagave. Ata nuk do të ndërmarrin masa sindikale, pa dalë edhe vendimi nga Kushtetuesja, ndërsa i bëjnë thirrje Qeverisë që të planifikojë mjete të mjaftueshme në buxhetin e vitit 2020. Sindikata e arsimit, pas vendimit të […]

SBASHK: Gjykata Kushtetuese të veprojë drejt e t’i japë dritë të gjelbër Ligjit për Paga Foto: SBASHK - Facebook

Sindikalistët e arsimit kanë deklaruar se do të presin që Gjykata Kushtetuese t’i japë dritën e gjelbër Ligjit të Pagave.

Ata nuk do të ndërmarrin masa sindikale, pa dalë edhe vendimi nga Kushtetuesja, ndërsa i bëjnë thirrje Qeverisë që të planifikojë mjete të mjaftueshme në buxhetin e vitit 2020. Sindikata e arsimit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të analizojë situatën për të ndërmarrë ose jo veprime sindikale.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, ka deklaruar se mësimdhënësit do të presin të marrin pagat ashtu siç është paraparë në Ligjin e ri për Pagat, i cili aktualisht është në Gjykatën Kushtetuese për “vlerësimin e përputhshmërisë” së tij me Kushtetutën. Për këtë çështje, sindikalistët presin që në buxhetin e vitit 2020 të aprovohet edhe kostoja e këtij ligji të ri. Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jashraraj, tha për Radio Kosovën se nuk do të ndërmarrin masa sindikale deri sa të dalë edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por sic tha, pas këtij vendimi do të analizohet situata nëse do të ketë greva apo jo.

“Ne do të presim me besimin e plotë se Kushtetuesja të veprojë drejt dhe t’i japë dritë të gjelbër ligjit, mbase duke bërë vërejtjet eventuale dhe duke kërkuar nga Kuvendi që pikat të cilat nuk janë plotësisht të bazuara në Kushtetutë të ndryshohen. Deri atëherë ne do të presim. Është Këshilli Drejtues, që pas veprimeve të Kushtetueses do të analizojë situatën dhe to të marrë veprime, të cilat unë si kryetar do t’i respektoj”, tha ai, transmeton RTK.

Jasharaj shpreson që të ketë përsëri takime me kryeministrin, ministrin e  financave dhe atë të arsimit, në mënyrë që të dakordohen se me miratimin e buxhetit 2020, të parashihen mjete të mjaftueshme për zbatimin e ligjit të ri të pagave.

“Qeveria Kurti, besoj se do ta kuptojë situatën, do të ulet të punojë në buxhetin e këtij viti, ku do të parashohë mjete të mjaftueshme për zbatimin e ligjit. Po them, nëse në një situatë tjetër nuk veprohet kështu, atëherë do të kemi shumë telashe dhe SBASHK do të veprojë sipas zërit të mësimdhënësve”, shtoi ai.

Javën e kaluar, përfaqësues të pesë sindikatave: asaj të Arsimit, Shëndetësisë, Policisë, Zjarrfikësve dhe Doganës, janë takuar me kryeministrin, Albin Kurti, ku u është thënë se nuk ka mjete për zbatimin e plotë të ligjit të pagave. Ligjin për paga, e ka dërguar në Kushtetuese Institucioni i Avokatit të Popullit, më 6 dhjetor 2019, për siç thuhet “vlerësimin e përputhshmërisë” së këtij ligji me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese, në shkurt të këtij vitit ka vendosur ta vazhdojë e pezullimit të Ligjit të Zyrtarëve Publikë deri më datë 28 prill.