Grantet Salih Zyba e paditi, prokuroria sot ngrit aktakuzë ndaj ish-ministrit

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë në Departamentin Special në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër të të pandehurve, ish-ministrit Nenad Rikallo, sekretarit Kapllan Halimi, SH.Z., E.Gj., Sh.M., L.TH., L.K dhe A.Z., për veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Të pandehurit N.R, K.H, SH.Z, dhe E.Gj., në bashkëveprim gjatë vitit 2018, me qëllim që t’u mundësojnë përfitime në mënyrë të kundërligjshme disa kompanive, kanë vepruar në mënyrë të kundërligjshme, si dhe me qëllim kanë vepruar në kundërshtim me Ligjin 04/L-090 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 03/L-098 për bujqësi dhe zhvillim rural, neni 5.1, neni 8, neni 13, paragrafi 1.2 , neni 4, neni 14.2, Ligji 03/L-098 për bujqësi dhe zhvillim rural, neni 8 dhe 9, Rregullores (QRK) nr. 37/2013, neni 7.1, paragrafi 1.1, Udhëzuesi dhe Doracaku për hartimin e konceptit të dokumenteve nga Zyra e kryeministrit.

I pandehuri Nenad Rikallo në cilësinë e ministrit të Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR) ka tejkaluar kompetencat e tij, duke hartuar një “program të veçantë”, pa buxhet të veçantë të ndarë për këtë projekt.

Ai vendosur mbi kriteret, ka përcaktuar regjionet për financim, shumën e grantit, duke i anashkaluar edhe procedurat e rregullta të hartimit të programit të veçantë, që ishte kompetencë e Departamentit të Politikave të Zhvillimit Rural në MBPZHR, duke mbivendosur midis masave me programin e rregullt.

Më 2 gusht të këtij viti si deputet i Kuvendit të Kosovës nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, njëherit dhe anëtar i Komisionit parlamentar për Bujqësi, Salih Zyba kishte dorëzuar kallzim penal për ish ministrat e Bujqësisë, Nenad Rikallo, Memli Krasniqi, Blerand Stavileci, sekretarin e Ministrisë së Bujqësisë, Kapllan Halimi, drejtorin e Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë, Ekrem Gjokaj dhe ish drejtorin e kësaj agjencie, Elhami Hajdari.

“Jemi të vetëdijshëm që tashmë dhjetra fermerë për vite të tëra kanë kallzuar në prokurori, në polici për keqpërdorimet e mëdha qoftë me grantet e qoftë me subvencionet. Qindra ankesa e padrejtësi kemi pranuar prej tyre në këtë drejtim.

Ftoj po ashtu Auditorin e Përgjithshëm të dorëzojë në Prokurori Raportin e performancës lidhur me procesin e menaxhimit të granteve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë, publikuar në Maj 2019. Neni 24 i Ligjit për Auditorin e përgjithshëm dhe Zyrën kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës, e obligon këtë institucion të veproj kur gjen shkelje dhe keqpërdorime të parasë publike.

Kallzim i sotshëm i mbulon dy çështje, grantet në shumën 4 milionë euro të dhëna për 4 konzurciome dhe një kompani secila prej tyre e lidhur drejtpërdrejtë me drejtues politkë dhe ish ministra si dhe keqpërdorimet prej vitit 2014 në këtë fushë.

Prej shumë muajsh kemi ballafaqur zyrtarët e Ministrisë për këtë temë e të ngjashme, veçanërisht në Komisionin Parlamentar për Bujqësi, Pylltarisë, Zhvillim Rural, Mjedis dhe planifikim hapësinor. Ata as nuk kanë qenë të interesuar të përmisojnë apo të ndalin. keqpërdorimet. Ndaj tani fjalën e ka prokuroria speciale” kishte deklaruar Zyba.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.