Janar ’15 Salih Zyba akuzohet se tentoi ti heqë armën policit, në prill del para gjykatës

Në fillim të prillit, pritet të mbahet seanca fillestare ndaj deputetit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Salih Zyba dhe 23 personave të tjerë.

Ata akuzohen për dëmet e shkaktuara me rastin e protestave të vitit 2015, të organizuara nga “Vetëvendosje”, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA Socialdemokrate, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e ngritur më 23 janar 2017, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, deputeti Zyba, së bashku me Ngadhënjim Haxhosaj, akuzohen se kanë kryer veprën penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave zyrtare”, nga neni 410, paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, në të njëjtën datë, rreth orës 14:30, në Prishtinë, përkatësisht në sheshin “Skënderbeu”, me rastin e mbajtjes së protestës gjithëpopullore, të pandehurit Salih Zyba dhe Ngadhënjim Haxhosaj, secili veç e veç, me dashje, drejtpërsëdrejti kanë sulmuar personat zyrtar në kryerjen e detyrës lidhur me sigurinë e përgjithshme.

Në aktakuzë thuhet se kanë vepruar në atë mënyrë, që në shenjë pakënaqësie për rrjedhën e protestës, fillimisht të njëjtit futen brenda kordonit të sigurisë, ku me veprimet e tyre kanë shfaqur sjellje të dhunshme, duke i shtyrë në vazhdimësi me duar dhe me tërë trupin zyrtarët policorë, pastaj me lëvizjet e tjera me dorë e këmbë kanë tentuar t’i godasin, për çka arrestohen.

Gjithnjë sipas aktakuzës, gjatë arrestimit, i pandehuri Zyba edhe më tej, ka shfaqur rezistencë aktive, ku në një moment me duar nga këllëfi i brezit, ka tentuar t`ia heq armën zyrtare, zyrtarit policor Berat Gashi, me ç ‘rast zyrtari policor Adnan Muriqi, me kolegët e tjerë, i ofrojnë ndihmën dhe arrijnë të ndalojnë në marrjen e armës, e më pas të shoqërojnë të njësia më e afërt e arrestimeve.