Salih Zyba kërkon shkarkimin e kryeshefes ekzekutive të IPK-së

21.02.2020

Deputeti i LVV-së nga Suhareka, Salih Zyba përmes një reagimi ka numëruar shkeljet dhe parregullsitë e IPK-së të gjetura nga Grupi Punues i Komisionit parlamentar. “Në legjislaturën e kaluar, Grupi Punues i Komisionit parlamentar, hartoi e miratoi rekomandimet mbi mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për Inspektoratin e Policisë së Kosovës. Raporti përmban një listë të […]

Salih Zyba kërkon shkarkimin e kryeshefes ekzekutive të IPK-së Foto: Ilustrim

Deputeti i LVV-së nga Suhareka, Salih Zyba përmes një reagimi ka numëruar shkeljet dhe parregullsitë e IPK-së të gjetura nga Grupi Punues i Komisionit parlamentar.

“Në legjislaturën e kaluar, Grupi Punues i Komisionit parlamentar, hartoi e miratoi rekomandimet mbi mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit për Inspektoratin e Policisë së Kosovës.

Raporti përmban një listë të gjatë të shkeljeve dhe parregullsive të IPK-së. Konkretisht aty paraqiten shkeljet dhe papërgjegjësitë e Kryeshefes Ekzekutive të IPK-së.

Bazuar në këto gjetje e shkelje, Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së, më datë 5 prill 2019 vendosi për miratimin e Raportit me Rekomandime, ku në rekomandimin nr. 16, kishte miratuar shkarkimin e saj me arsyetimin se “Për shkak të kontestimit të integritetit të Kryeshefit aktual të IPK-së, si i dyshuar në ushtrimin e ndikimit në konkursin e inspektorëve në IPK si dhe për shkak të keqmenaxhimit të detyrave dhe përgjegjësive, duke bërë veprime jo profesionale ndaj zyrtarëve të IPK-së, me pasojë dëmtimin e rëndë të veprimtarisë së zyrtarëve, efikasitetin, pavarësinë, paanshmërinë dhe besueshmërinë e IPK-së, si dhe për shkak të të gjitha të gjeturave mbi shkeljet e shumta ligjore edhe gjatë menaxhimit të saj si U.D e Kryeshefit dhe si Kryeshef i IPK-së, e njëjta shkarkohet dhe të nisin procedurat e shpalljes së konkursit për Kryeshef të ri të IPK-së”. Raporti me të gjeturat po ashtu u dorëzua edhe Prokurorisë së Shtetit.

Zyra Kombëtare e Auditimit në raportin e auditimit, kishte konstatuar shkeljet e shumta të ligjit dhe dëmtimin e institucionit e të parasë publike.

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për Inspektoratin e Policisë së Kosovës, ndër tjera konstaton, “Kryeshefi Ekzekutiv i IPK-së duhet të sigurohet që çdo kontratë të nënshkruhet pasi të jenë zbatuar të gjitha procedurat e kërkuara më LPP dhe rregulloret plotësuese.

Mirëpo, përkundrazi, Zyra Kombëtare e Auditimit, kishte gjetur se në kontratën e nënshkruar “Mirëmbajtja dhe servisimi i automjeteve të IPK-së” në vlerën prej 59,835 euro, operatori ekonomik kishte ofertuar me çmime jo normalisht të ulëta për disa artikuj, si psh: çmimi i ofertës fituese për “Alternator” për veturën Hyundai është 1,25 euro, derisa oferta e ofertuesit të dytë për këtë artikull ishte 70 euro. Po ashtu për artikullin amortizer i pasëm (për veturat Hyundai, Nissan, Golf IV) ishin 1,25 euro. Po ashtu kishte edhe shumë artikuj tjerë me çmime jo normalisht të ulëta si: Sistemi i frenimit ABS 1, 25, boshpumpa 1, 19 euro” e kështu me radhë.

Duke pasur parasysh këto shkelje të rënda, si dhe gjetjet e shumta për veprime e vendime të paligjshme të KE-së së IPK-së, si nga parlamentar, edhe nga Zyra Kombëtare e Auditimit, si dhe duke vënë në zbatim Raportin dhe vendimin e Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe mbikëqyrje të FSK-së, kërkoj nga Qeveria e Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprime për të zbatuar vendimin për shkarkimin e Kryeshefes Ekzekutive të IPK-së.

Inspektorati i Policisë së Kosovës është një institucion i rëndësishëm në korpusin e institucioneve shtetërore të sigurisë e sundimit të shtetit ligjor, dhe si i tillë ky institucion duhet t’i kthehet mandatit e përgjegjësive që ka, duke dëshmuar shembullin e respektimit të ligjeve dhe të rregulloreve” ka shkruar Zyba.