Herolind Bytyçi
16.05.2019, 15:20

Sa është e vështirë qasja në dokumentet zyrtare në Komunën e Suharekës?

Qasja në dokumente zyrtare në Kosovë parashihet me ligj. Por, asambleistët dhe përfaqësuesit politik, të cilët kanë më së shpeshti kërkesa për qasje në këto dokumente, kontestojnë transparencën e institucioneve.

Duke u bazuar në Ligjin Nr. 03/L-215 për qasje në dokumente publike qëllimi i të cilit është të garantoj të drejtën secilit person fizik dhe juridik për të pasur qasje në dokumentet e hartuara apo pranuara nga institucionet publike dhe duke u bazuar në objektivin numër 6 të plan e veprimit për transparencë në Komunën e Therandës për vitin 2019, Komuna e Therandës obligohet me ligj të lejoj qasjen në dokumente publike përpos atyre dokumenteve të përjashtuara sipas nenit 12 të ligjit Nr. 03/L-215.

Sipas të dhënave për vitin 2018 në tërë Kosovën, nga 2350 kërkesa për qasje në dokumente publike, 2170 prej tyre (apo 92 për qind) kanë marrë përgjigje pozitive, 148 kërkesa (apo 6 për qind) janë refuzuar kurse për 42 kërkesa (apo 2 për qind) është ofruar qasje e pjesshme.

I kontaktuar nga redaksia e SuharekaOnline shefi i grupit parlamentar të LDK-së Dega në Suharekë, Ardian Shala ka thënë se sa i përket qasjes në dokumente zyrtare në Komunën e Suharekës pothuajse është e paarritshme. Deri më tani kemi bërë tri kërkesa dhe ato kanë qenë refuzuese (sipas stilit të pushtetit kuptohet me arsyetimin: për këto dokumente shkelet privatësia e qytetarit e arsyetime të ngjashme).

Gjithashtu kemi kërkuar direkt në asamble, për disa çështje tjera dhe  atëherë i kanë sjellë në mënyrë gjysmake (vetëm ato që ata kanë dëshiruar, jo çka kemi kërkuar komplet) është përgjigjur Ardian Shala.

Edhe shefi i grupit parlamentar nga radhët e PDK-së në Suharekë, Jeton Rrakaqi ka mendim pothuajse të njëjtë. Në një përgjigje përmes telefonit z.Rrakaqi tha se qasja në dokumente zyrtare varet edhe nga drejtoritë të cilës i drejtohesh. Në një kërkesë të tij si qytetar drejtuar zyrës së kryetarit dhe drejtorisë së Shërbimeve Publike të datës 18 dhjetor 2018 lidhur me ndriçimin publik të fshatit Gelancë, Rrakaqi shton se nuk ka marrë përgjigje nga ana e asnjërës palë.

Madje ai tregon se ka raste ku shumë qytetarë janë ankuar te ai për mos përgjigje të institucioneve në rastin e ndarjes së bursave për studentë dhe nxënës. Të vetmën zyre në të cilët vazhdimisht kanë arritur që të qasen në dokumente zyrtare, Rrakaqi thotë se është zyra e prokurimit nga e cila gjithmonë kanë marruar dokumentet e kërkuara.

Mendim të kundërt ka përfaqësuesi i PSD-së, Leonard Shala. Ai thotë se nuk është e vështirë, unë personalisht si asambleist sa herë që më janë duhur dokumente kam shkuar në drejtorinë përkatëse edhe i kam marrë direkt pa pasur nevojë për kërkesë zyrtare. Vitin e kaluar kryesisht kam marrur paramasa të projekteve të ndryshme që kanë qenë në drejtorinë e shërbimeve publike, të cilat i kam marr shumë shpejt. Unë kryesisht kërkesat i kam pasur tek kjo drejtori, ndoshta në ndonjë dikaster tjetër mundet me pasë pengesa por që unë nuk e kam një pervojë të tillë gjatë vitit të kaluar dhe këtij viti.

Ndërsa Arbër Kabashi nga LVV, thotë se nga mungesa e transperences, mos publikimi i të gjitha akteve komunale në web faqen e Komunës së Therandes, ne si subjekt politik detyrohemi që të bëjmë kërkesa për qasje në dokumente të ndryshme.

Në këtë qeverisje ne kemi bërë kërkesa për qasje në dokumente publike pothuajse në të gjitha drejtoritë komunale, për secilën kërkesë për qasje në dokumente publike që e kemi bërë Komuna e Suharekës ka qenë e obliguar të na lejoj qasjen

Disa nga vështirësitë të cilat e karakterizojnë qasjen në dokumente publike në Komunën e Therandës janë, neglizhenca e disa nga personave përgjegjës, mosnxjerrja e vendimit për lejimin e qasjes në dokumente publike brenda afatit shtatë (7) ditë, dhënia e gjysmës së kopjeve të matrialve të kërkuara, mos përcjellja e kërkesës organit përgjgjës nëse organi të cilit i dërgohet kërkesa nuk është përgjegjës për çështjen e kërkuar, pra në disa raste na duhet edhe insistim shtesë në mënyrë që të arrijmë të qasemi në atë që e kërkojmë.

Ndërsa për kërkesat që i kemi bërë për zyrën e Kryetarit nuk kemi marruar fare përgigjje.

Transparenca radikale ka qenë njëra nga premtimet e kryetarit aktual, Komuna e Therandës nuk është transparente aq sa duhet, këtë e vërteton edhe një hulumtim i bërë nga Instituti Demokratik i Kosovës.

Në bazë të nenit 10 të ligjit  Nr. 03/L-215, nëse kërkuesi nuk e merr përgjigjjen nga institucioni publik, kërkuesi e ka të drejtën të fillojë proceduren para Avokatit të popullit, institucioneve tjera publike, gjykatës kompetente.