Rukiqi: Largimi i masave s’do të thotë kthim në normalitet, me masa fiskale të ndihmohet sektori privat
Nga data katër maj fillon hapja e bizneseve, sektori i ndërtimtarisë dhe i tregtisë, kurse më pas edhe shërbimet e ndryshme përgjatë muajit. Kurse sektori i gastronomisë parashihet të hapet pas 1 qershor. Këto tri valë të hapjes së bizneseve janë të varura edhe nga gjendja epidemiologjike, bëri të ditur për Ekonomia Online kryetari i […]
Nga data katër maj fillon hapja e bizneseve, sektori i ndërtimtarisë dhe i tregtisë, kurse më pas edhe shërbimet e ndryshme përgjatë muajit. Kurse sektori i gastronomisë parashihet të hapet pas 1 qershor.
Këto tri valë të hapjes së bizneseve janë të varura edhe nga gjendja epidemiologjike, bëri të ditur për Ekonomia Online kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi.
Rukiqi theksoi se hapja e bizneseve nuk i zgjedh problemin e pandemisë, siç tha ai edhe largimi i kufizimeve nuk do të thotë rikthim në normalitet.
“Kemi diskutuar tri valë të hapjes së bizneseve, deri me datën dy qershor, varësisht edhe nga gjendja epidemiologjike. Kjo lidhet edhe me vet menaxhimin e pandemisë ose mundësive që të mos përhapet pandemia. Këto tri valë do të mundësojnë hapjen e gjitha bizneseve duke filluar nga java tjetër për të përfundua në javën e parë të qershorit”.
“Do të fillohet me ndërtimtarinë dhe tregtinë me pakicë, për të vazhduar me shërbimet e ndryshme në fazën e dytë dhe për të përfundua me pjesën e tretë me pjesën e gastronomisë dhe kinematë. Kjo nuk e zgjedh krejt problemin, edhe vet largimi i masave nuk do të thotë kthim në normalitet”, ka thënë Rukiqi.
Rikthimi në normalitet kërkon më shumë kohë, që sipas Rukiqit edhe pas hapjes së bizneseve nevojitet respektimi i rekomandimeve nga IKShP-ja. Ai përmendi një sërë masash që do të ndihmojnë sektorin privat në rimëkëmbje.
“Mbi këtë supozim që kthimi në normalitet do të zgjatë shumë më shumë dhe mundësitë e kthimit të pandemisë janë reale. Ne duhet të përgatitemi me masa fiskale dhe të tjera që mund të ndihmojnë sektorin privat”, tha ai.
Mes tjerash, Rukiqi tha se mënyra tjetër është edhe dhënia e kredive, një pjesë të interesit që mbulohet nga Qeveria.
“Në bisedim me bizneset fokusi kryesor është lehtësira fiskale edhe të shtyrjes së tatimeve apo programimeve të borxheve të ndryshme që i kanë ndaj shtetit”.
“Fokusi duhet të jetë të sigurimi i mjeteve për likuiditet përmes një fondi më të madh të rimëkëmbjes, fillimisht me startua e pastaj me i financua duke e nxitë sektorin bankar me lëshua kredi me norma të volitshme, ku një pjesë e interesit ta mbuloj Qeveria”, ka thënë ai.
Rukiqi potencoi se në kuadër të rimëkëmbjes mund të rritet konkurrenca në tregjet e tjera, duke krijuar edhe linja për eksportin.
“Ka hapësirë që në kuadër të kësaj rimëkëmbje të shihen aftësitë për rritjen e konkurrencës edhe në tregjet e tjera. Duke krijuar linja të veçanta për të përkrah eksportin”, u shpreh ai.
Rukiqi foli edhe për pakon emergjente duke shtuar se për pakon e dytë tha se pret efikasitet dhe dizajnim në implementimin e saj.
“Ne kemi shqetësime më pakon e parë pasi kemi vonesa, pasi nuk kemi derdhje të mjeteve drejt bizneseve. Kjo është urgjente dhe nuk është çështje që mund të pret gjatë”.
“Ne presim që të kemi një efikasitet, funksionim më të mirë të dialogut me Qeverinë në dizajnimin dhe implementimin e pakos së rimëkëmbjes”, shtoi Rukiqi për EO.