RTK dënohet edhe me 2 mijë euro gjobë për shkak të degradimit të Zekerija Dushit në pozitën “zyrtar në arkiv”

08.07.2024

Inspektorati i Punës ka shqiptuar ndaj RTK-së edhe një masë tjetër ndëshkimore, në vlerë prej 2 mijë euro, për degradimet e paligjshme që kanë ndodhur në RTK.

RTK dënohet edhe me 2 mijë euro gjobë për shkak të degradimit të Zekerija Dushit në pozitën “zyrtar në arkiv” Foto: Ilustrim

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se kësaj radhe, Inspektorati i Punës ka ndëshkuar mediumin publik për shkak të degradimit të Zekerija Dushi nga Udhëheqës i Prokurimit, në pozitën Zyrtar në Arkiv.

Në njoftimi thuhet se në vendimin e Inspektoratit thuhet se “Inspektori i Punës konstaton se punëdhënësi ka vepruar në kundërshtim me nenin 17 të Ligjit të Punës 03/L-212, pasi ka bërë kontratë pune të re për punonjësin Zekrija Dushi nga Udhëheqës i Prokurimit në Zyrtar për Arkiv në RTK, por jo me përgatitje profesionale, aftësisë së tij dhe nivelit të njëjtë të pagës”.

Tutje në njoftim bëhet e ditur se pa asnjë paralajmërim, apo vërejtje për përformancën në punë, Zekerija Dushit, nga ish-drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj, i ndërrohet vendi i punës, duke përfshirë edhe degradimin në pagë për 50% më pak. Kjo konstatohet edhe nga Inspektorati i Punës ku thuhet se:

“Inspektori i Punës konstaton se punëdhënësi nuk ka shqiptuar ndonjë vërejtje verbale apo me shkrim për punonjësin Zekrija Dushi, të cilit iu ka ndërruar vendi i punës nga Udhëheqës i Prokurimit në pozitën Zyrtari Arkivit”.

Siç thuhet në njoftim me vendimin e fundit të Inspektoratit të Punës, RTK është dënuar me 32 mijë euro për shkak të shkeljeve që ka bërë ish-drejtori Shkumbin Ahmetxhekaj.

“Prandaj, Shoqata Sindikale e Radio Kosovës, kërkon që të shqyrtohen të gjitha vendimet e jashtëligjshme të ndërmarra nga ish drejtori i RTK-së Shkumbin Ahmetxhekaj”, thuhet në njoftim.