Rritje e vizitorëve në Kosovë, Agjencia e Statistikave publikon të dhënat për vitin 2024
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Statistikat e Hotelerisë dhe Turizmit për vitin 2024, duke treguar një rritje të konsiderueshme në numrin e vizitorëve si të huaj ashtu edhe vendorë.
Sipas ASK-së, numri total i vizitorëve të jashtëm që kanë hyrë në Kosovë gjatë vitit 2024 ka arritur në 6 milionë e 938 mijë e 227. Këto shifra dëshmojnë një interes në rritje për Kosovën si destinacion turistik.
Ndërkohë, Rajoni i Prishtinës vazhdon të jetë destinacioni kryesor për turizmin e brendshëm, duke regjistruar numrin më të madh të vizitorëve vendorë me 205 mijë e 405 vizitorë.
ASK-ja njoftoi gjithashtu se numri i vizitorëve vendorë ka shënuar një rritje prej 4.2 për qind në raport me vitin 2023, duke treguar një tendencë pozitive të zhvillimit të turizmit të brendshëm në vend.
Këto të dhëna flasin për një dinamikë pozitive në sektorin e turizmit dhe hotelerisë në Kosovë, duke shënuar një vit të suksesshëm për këtë industri.