Rritja e pagës minimale në 250 euro e pamjaftueshme dhe me ndikim të keq në zhvillimin ekonomik

15.05.2021

Gjatë javës së kaluar Qeveria e Kosovës kishte mbajtur mbledhjen e radhës, ku u diskutua dhe u miratua programi qeverisës. Ndërsa, pas mbledhjes kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për media, ku edhe ka bërë të ditura detaje të programit qeverisës. Kurti ndër tjerash ka thënë se paga minimale në vendin tonë […]

Rritja e pagës minimale në 250 euro e pamjaftueshme dhe me ndikim të keq në zhvillimin ekonomik Foto: SuharekaOnline

Gjatë javës së kaluar Qeveria e Kosovës kishte mbajtur mbledhjen e radhës, ku u diskutua dhe u miratua programi qeverisës.

Ndërsa, pas mbledhjes kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për media, ku edhe ka bërë të ditura detaje të programit qeverisës.

Kurti ndër tjerash ka thënë se paga minimale në vendin tonë do të bëhet 250 euro.

Por, premtimet e qeverisë për punësim dhe përmirësim të kushteve në sektorin privat, pak se po besohen.

Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat po insiston në ngritje të pagës minimale në 350 euro.

Madje kjo rritje e cila po konsiderohet “artificiale” mund të ndikojë keq në zhvillimin ekonomik, thotë njohësi i çështjeve ekonomike, Mustafë Kadriaj.

Sipas tij bizneset do të detyrohen t’i largojnë punëtorët nga puna pasi që e kanë të vështirë t’i mbajnë me rritje të pagës.

Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat i ka propozuar qeverisë së vendit që nëse jetësohet paga minimale prej 250 euro, kjo pagë të nënshkruhet deri në fund të muajit maj, me kusht që deri me 31 dhjetor të jetë 350 euro.

I pari i kësaj sindikate Jusuf Azemi në për EkonomiaOnline ka theksuar se është lëvizje pozitive nga qeveria premtimi për rritjen e pagës, por që kërkesa e tyre e plotë nuk po plotësohet.

Azemi tutja tha se edhe paga prej 350 euro nuk do të ishte e mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet, derisa ka shtuar se asnjë punëtorë nuk dëshiron që të punojë me170 apo 250 euro.

Kujtojmë se që nga viti 2011 nuk është bërë asnjë rritje sa i përket pagës minimale.