Rritja e kostos së ndërtimit shtrenjton banesat

24.06.2021

Vetëm ngritja që ka pasur çmimi i hekurit gjatë muajve të fundit, e ka shtrenjtuar koston e ndërtimit për një metër katror në Kosovë, për rreth 17 euro, thotë Faton Hoxha, kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve në Kosovë. Kjo rritje e kostos së ndërtimit sipas tij, pashmangshëm rrit edhe koston e banimit. “Kemi ngritje të […]

Rritja e kostos së ndërtimit shtrenjton banesat Foto: Ilustrim

Vetëm ngritja që ka pasur çmimi i hekurit gjatë muajve të fundit, e ka shtrenjtuar koston e ndërtimit për një metër katror në Kosovë, për rreth 17 euro, thotë Faton Hoxha, kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve në Kosovë.

Kjo rritje e kostos së ndërtimit sipas tij, pashmangshëm rrit edhe koston e banimit.

“Kemi ngritje të çmimit të hekurit apo armaturës për afër 100 për qind, çimentos 80 për qind, drurit 60 për qind, pra të gjitha materialet që janë bazë për ndërtim u janë rritur çmimet. Kur të shtojmë edhe transportin, mund të themi që kostoja e ndërtimit është rritur për mbi 20 për qind”, thotë Hoxha.

Ai thotë se ka tendencë edhe më tutje të rritjes së kostos së ndërtimit.

Arsyet e rritjes së kostos së ndërtimit, thuhet të jenë shkaktuar për shkak të kërkesës së lartë për ndërtim, që është duke ndodhur pas lirimit të masave si pasojë e pandemisë në mbarë botën, por edhe në Kosovë.

Po ashtu, një arsyeje tjetër, thotë Hoxha, është se disa fabrika kanë punuar me numër të reduktuar të punëtorëve gjatë kohës së pandemisë dhe se prodhimi ka qenë i ulët.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), kostoja e ndërtimit në Kosovë ka shënuar rritje për 5.3 për qind në tre mujorin e parë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Sipas ASK-së, ngritje të çmimeve kanë shënuar materialet ndërtimore 7.9 për qind, energjia 5.5 për qind, makineritë 2.7 për qind dhe kostot e tjera 0.6 për qind.

Por, sipas Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, kostoja e ndërtimit ka shënuar rritje për mbi 20 për qind.

Brahim Selimaj, pronar i kompanisë ndërtimore “Elsa”, thotë për Radion Evropa e Lirë se kostoja e ndërtimit dikton edhe çmimin e banesave, që siç thotë ai, do të jetë shumë më i lartë.

“Deri në 30 për qind do të jetë më e shtrenjtë kostoja e blerjes së banesave, për shkak të ngritjes enorme të çmimeve të materialeve ndërtimore”, thotë Selimaj./REL/