Kryeshefi i Agjecnisë së Kosovës, Isa Krasniqi thotë se në bazë të regjistrimit në vitin 2011 dhe vlerësimit të popullsisë për vitin 2018, në tërë Republikën e Kosovës numri i banorëve është 1 milion e 795 mijë e 666.
Kreu i ASK-së duke folur për tregtinë e jashtme, deklaron se importi i mallrave është rritur në periudhën e fundit, pavarësisht vendosjes së taksës ndaj mallrave nga Serbia dhe rritjes së eksportit të Kosovës.
Ai thekson se për politikbërësit ky sinjal është i rëndësishëm për vendosjen e politikave zhvillimore për të ardhmen.
Krasniqi: Prej momentit të vendosjes së taksës 100 përqind, është rritë importi
“Rënia e importit nga shteti fqinjë verior është jashtëzakonisht i madh. Pra, kemi një rënie jashtëzakonisht të madhe të importit, por importi i mallrave të caktuara është zëvendësuar me import nga vendet tjera. Në kuptimin e importit si total mujor, apo në këtë periudhën prej momentit të vendosjes së taksës 100 përqind, është rritë importi, por rritja është jo te fqinji verior, por tek vendet tjera që kanë ndërmjetësua mallrat të cilat dikur janë importuar nga ai(Serbia) vend”, deklaron ai.
Krasniqi po ashtu thotë se në periudhën e fundit ka edhe një ngritje të çmimeve të disa produkteve të konsumit të përditshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës.
Ndërsa, për GDP-në, Krasniqi thotë se ka një rritje krahasuar me vendet e rajonit, që është pak mbi 4 përqind në dy vitet e fundit, sipas të cilit është e qëndrueshme.
Krasniqi: GDP-ja pak mbi 4 përqind, një rritje e qëndrueshme
“Për vitin 2017, kemi një përqindje prej pak mbi 4 përqind, por edhe në publikimin e fundit tre mujor që e kemi publikuar për tremujorin e parë të vitit 2019, është aty(pak mbi 4 përqind). Pra, kemi një rritje të qëndrueshme të GDP-së, ndërsa, është aspekt tjetër se si shfrytëzohen këto nga institucionet vendimmarrëse këto të dhëna që me politika zhvillimore të shndërrohen këto shifra të rritjes ekonomike edhe në aspektin e rritjes së vendeve të punës, në zhvillimet e sektorëve të tjerë si dhe shumë fusha të tjera”, thotë Krasniqi.
Për shkallën e papunësisë, kryeshefi i ASK-së Isa Krasniqi, thotë se ka një rënie të papunësisë nga 30.1 përqind në 26.9 përqind.
Sipas tij, për tre mujorit të parë të vitit 2019, shkalla e papunësisë në Republikën e Kosovës është 26.9 përqind.