Rriten rastet e dhunës në familje, për 11 muaj janë denoncuar 3 mijë e 434 raste

09.01.2021

Dhuna në familje po vazhdon të jetë çështje shqetësuese në Kosovë, ku fatkeqësisht po vazhdon të ketë rritje të rasteve të tilla. Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, krahasuar me vitin 2019 llogaritet se janë mbi 2 mijë raste të raportuara më shumë në vitin 2020. Në bazë të dhënave bëhet e ditur se […]

Rriten rastet e dhunës në familje, për 11 muaj janë denoncuar 3 mijë e 434 raste Foto: Ilustrim

Dhuna në familje po vazhdon të jetë çështje shqetësuese në Kosovë, ku fatkeqësisht po vazhdon të ketë rritje të rasteve të tilla.

Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, krahasuar me vitin 2019 llogaritet se janë mbi 2 mijë raste të raportuara më shumë në vitin 2020.

Në bazë të dhënave bëhet e ditur se rastet e dhunës në familje më së shumti janë denoncuar gjatë muajit gusht të vitit që lamë pas. Rreth 200 raste të tilla janë raportuar gjatë këtij muaji.

Në 11 muajt e vitit 2020, gjithsej janë denoncuar 3 mijë e 434 raste të dhunës në familje.

Policia e Kosovës për “Zërin” ka theksuar se numri i dhunës në familje është rritur dukshëm në krahasim me vitin 2019.

“Numri i dhunës në familje është rritur dukshëm në vitin paraprak. Vetëm 3434 raste janë raportuar në këta 11 muaj. Muaji gusht i vitit që lamë pas kishte shënuar më së shumti raste të dhunës me mbi 200 të raportuara. Në krahasim me vitin 2019, me 1915 raste të raportuara, në vitin 2020 është rritur me mbi dy mijë raste të dhunës”, thuhet në deklaratën e policisë.

Në vitin 2017 ishin raportuar 1269 raste të dhunës në familje, përderisa në vitin 2018 numri i tyre ishte rritur dukshëm me 1541 raste të raportuara.

“Për rastet e dhunës ne familje, duhet të kihet parasysh se raportimet e rasteve të dhunës në familje kanë ardhur duke u rritur nga viti në vit ( 2017=1269 raste, 2018=1541 raste, 2019=1915 raste). Policia në vazhdimësi në forma të ndryshme ka apeluar që këto raste të raportohen”, kanë potencuar për nga Policia.

Policia thotë se përkushtimi i vazhdueshëm i tyre ka reflektuar në fushën e parandalimit të dhunës dhe senzibilimit të shoqërisë.

“Masat dhe përkushtimi i vazhdueshëm i Policisë së Kosovës me mekanizmat tjerë institucionalë në parandalimin e dukurisë së rasteve me elemente të dhunës në familje reflekton qasjen proaktive në fushën e parandalimit dhe senzibilimit të shoqërisë”, thuhet në deklaratën e Zyrës për Informim.

Rikujtojmë se në Komunën e Suharekës në 11 muajt e vitit të kaluar në policinë e Suharekës janë raportuar 45 raste të dhunës në familje, ndërsa Komandanti i Policisë në Suharekë, kapiteni Afrim Sylaj për SuharekaOnline ka treguar se gjatë vitit 2020 gjithsej janë raportuar 51 raste të dhunës në familje.