Rriten çmimet, ulen pagat në Kosovë

02.06.2021

Gjatë vitit 2020 në Kosovë, i cili tashmë njihet si viti i pandemisë së koronavirusit, çmimet e konsumit u rritën në vlerën prej 0.2 për qind krahasuar me vitin paraprak. Kështu thuhet në të dhënat që ofron Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës. Ibish Asllani, shef […]

Rriten çmimet, ulen pagat në Kosovë

Gjatë vitit 2020 në Kosovë, i cili tashmë njihet si viti i pandemisë së koronavirusit, çmimet e konsumit u rritën në vlerën prej 0.2 për qind krahasuar me vitin paraprak.

Kështu thuhet në të dhënat që ofron Indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit, i publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës.

Ibish Asllani, shef i Divizionit të statistikave të çmimeve në Agjencinë e Statistikave të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se çmimet e konsumit në periudha të shkurta kohore gjatë vitit 2020, kanë shënuar ndryshime në ngritje dhe zbritje të tyre, por në tërësi ato janë ngritur për 0.2 për qind.

Ngritje të çmimeve, sipas Asllanit, janë shënuar për produktet bazike ushqimore.

“Ngritjet e këtyre çmimeve kanë qenë kryesisht te buka dhe drithërat, rreth 2.3 për qind dhe e kam fjalën për indeksin e tërësishëm të çmimeve të konsumit. Pastaj te mishi ka pasur një ngritje prej 1.8 për qind, qumështi, djathi dhe vezët kanë pasur ngritje 1.8 për qind, pemët kanë pasur ngritje të çmimit prej 5.0 për qind, kafja, çaji dhe kakao kanë pasur ngritje të çmimeve për 5.4 për qind, uji, pijet joalkoolike, lëngjet nga pemët dhe perimet 1.7 për qind”, tha Asllani.

Ai shtoi se ngritje të çmimeve prej 3.4 për qind kanë shënuar sheqeri dhe ëmbëlsirat, ndërkaq duhani 1.3 për qind. Rritje të çmimeve prej 4.4 për qind kanë shënuar produktet mjekësore, aparaturat dhe pajisjet, ndërkaq shërbimet telefonike dhe të telefaksit për 2.2 për qind. Shërbime hoteliere kanë shënuar ngritje prej 2.3 për qind, sigurimet 15.7, pajisjet shtëpiake 1.0 për qind, shërbimet ambulatore 5.8 për qind e të tjera.

Rënie e pagës mesatare

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, gjatë vitit 2020, paga mesatare ka shënuar rënie. Pagat që merren nga buxheti i Kosovës nuk kanë lëvizur, por në sektorin privat ato kanë shënuar rënie dhe marrë parasysh që sektori privat përfshin shumicën e të punësuarve në vend, kjo ka ndikuar në rënien e nivelit të pagave mesatare në përgjithësi.

Në vitin 2020, pagat mesatare bruto në Kosovë ishin 466 euro, derisa në vitin 2019 ishin 477 euro. Pra, kishte një rënie prej 11 eurosh nga viti paraprak. Kurse, paga neto, në vitin 2020 ishte 416 euro, krahasuar me vitin 2019 e cila ishte 430 euro. Pra, një rënie prej 14 eurosh.

Kërkohet rritje e pagave për punëtorët e sektorit privat në Kosovë

Paga mesatare bruto në sektorin privat, në vitin 2020 ishte 380 euro, derisa në vitin 2019 ishte 411 euro. Pra, kishte një rënie prej 31 eurosh. Ndërsa, paga mesatare neto për vitin 2020 ishte 342 euro, krahasuar me vitin 2019 që ishte 372 euro. Pra, ka shënuar një rënie prej 30 eurosh.

Ibish Asllani thotë se përllogaritja e Indeksit të çmimeve të konsumit bëhet në bazë të strukturës së konsumit. Indeksi i konsumit, sipas tij, ka 12 grupe dhe 88 nëngrupe, në bazë të klasifikimit të konsumit individual.

Për ushqim shpenzohen 47 për qind e pagave

Bazuar në statistikat e regjistruara për vitin 2020, sipas Asllanit, nga të ardhurat që ka një ekonomi familjare, 47 për qind e tyre shpenzohen vetëm për grupin e ushqimit. Kjo normë e lartë e shpenzimeve për grupin e ushqimit, sipas tij, ndikon drejtpërdrejtë në standardin e jetesës të ekonomive familjare në Kosovë.

“Sigurisht që ndikon, kur 47 për qind të të ardhurave i merr vetëm një grup, pra grupi i ushqimit. Tash mbesin edhe 11 grupe. Konsumi është fushë e gjerë, por faktikisht gati se gjysma e të ardhurave shkojnë për grupin e ushqimeve dhe gjysma tjetër mbetet për mbulimin e pjesës tjetër të zhvillimit të jetesës dhe të të gjitha të mirave në kuadër të ekonomisë familjare”, theksoi Asllani./RadioEvropaeLirë/

Etiketat