Ndërsa nga java e kaluar punonjësve të institucioneve publike në të gjithë Kosovës nuk iu lejtohet hyrja në vend të punës pa ofruar dëshminë e vaksinës, testin PCR apo testin serologjik kundër COVID-19.

Në këtë masë përfshihen edhe personat e punësuar në administratën publike, ku mbi 44 mijë janë të punësuar.

Sindikata e Shërbyesve Civil ka bërë të ditur se rreth 70 për qind (%) e punëtorëve shtetërorë janë vaksinuar me dozën e parë të vaksinës anti-COVID, ndërsa plotësisht ndaj COVID-19 apo me dy doza janë vaksinuar rreth 30 për qind (%).

Kryetari i Sindikatës së Shërbyesve Civil, Mursel Zymberi për KosovaPress ka thënë se ky vendim i marrë nga Qeveria e Kosovës për vaksinim të detyrueshëm nuk është mirëpritur nga punëtorët, ku ai pretendon se një gjë e tillë është edhe shkelje e të drejtave të njeriut.

Pavarësisht kësaj, kreu i sindikatës së shërbyesve civil apeloi të gjithë punëtorët që të vaksinohen, pasi janë rekomandime të Organizatës Botërore të Shëndetësisë si dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Ai shtoi se asnjë punëtorë nuk e ka refuzuar vaksinën, por që kanë kërkuar kohë për t’u bindur. Madje, sipas tij, disa prej tyre nuk janë vaksinuar për shkak të gjendjes jo të mirë shëndetësore.

Masat që pritet të hyjnë në fuqi nga 27 shtatori 2021 janë:

– Mësimi në të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar do të fillojë me datën 27 shtator ku në klasa nuk do të lejohen më shumë se 20 nxënës. Në klasat me më shumë se 20 nxënës, mësimi mbahet në dy grupe.

– Institucionet parashkollore do të punojnë me kapacitete të plota,

– Kufizimi i lëvizjes vazhdon të mbetet i njejtë, nga ora 22:00 – 05:00h.

– Gastronomia do të vazhdojë me të njëjtin orar. Lejohet puna brenda lokaleve për personat që ofrojnë dëshmi të vaksinimit ose teste përkatëse. Kjo nuk vlen për ambientet e jashtme të gastronomisë.

– Institucionet shtetërore dhe institucionet private detyrohen të paraqesin certifikatën e vaksinimit para hyrjes ku operojnë, përfshirë: Qendrat tregtare; Call center; Gastronomia në ambientet e brendshme;  Dhe të gjithë punonjësit në institucionet publike dhe private që kanë punë me palë.

– Aktivitetet  sportive mund të kenë prani të shikuesve deri në 10 për qind të kapaciteteve, duke pasur certifikatën e vaksinimit ose një nga 3 dëshmitë alternative; pra testin PCR, serologjik ose testin rapid antigjen. Në ambientet e jashtme deri në 30 për qind të kapaciteteve.