Roli i mediave i rëndësishëm për parandalimin e aksidenteve rrugore

15.06.2021

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka zhvilluar sot një takim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës me ç‘rast është diskutuar mbi bashkërendimin e aktiviteteve në sensibilizimin e opinionit për sigurinë në trafik, dhunën në familje dhe parandalimin e narkotikëve. Mehmeti tha se në takim ishin të fokusuar mbi ndikimin e mediave […]

Roli i mediave i rëndësishëm për parandalimin e aksidenteve rrugore Foto: Ilustrim

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, ka zhvilluar sot një takim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës me ç‘rast është diskutuar mbi bashkërendimin e aktiviteteve në sensibilizimin e opinionit për sigurinë në trafik, dhunën në familje dhe parandalimin e narkotikëve.

Mehmeti tha se në takim ishin të fokusuar mbi ndikimin e mediave në parandalimin e aksidenteve në trafik dhe koordinimin e aktiviteteve të tjera ndërmjet mediave dhe Policisë së Kosovës.

“Me theks të posaçëm biseduam rreth bashkëpunimit mbi parandalimin e aksidenteve në trafik, punën e përbashkët rreth parandalimit dhe luftimit të krimit, ku mediat kanë një rol shumë të rëndësishëm. Ne e çmojmë rolin e mediave dhe për këtë arsye u takuam së bashku në mënyrë që t’i koordinojmë aktivitetet dhe punët tona, dhe të vazhdojmë këtë bashkëpunim të frytshëm që kemi pasur deri tani”, tha Mehmeti.

Ndërkohë që numri i aksidenteve me fatalitet këtë vit në Kosovë ka arritur në më shumë se 40, drejtori i Policisë së Kosovës kërkoi nga pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë në maksimum rregullat në komunikacion.

“Një lajm që ju ndoshta e publikoni mund të jetë më shumë se 20 mijë apo disa mijë gjoba që i shqiptojmë gjatë ditës. Ne aktualisht jemi duke pranuar informacione të ndryshme nga qytetarët dhe i falënderojmë gjitha mediat dhe qytetarët që kanë kurajën që në forma të ndryshme të ndajnë me ne provat të ndryshme që dëshmojnë shkelje të ndryshme. Ne do t’i pranojmë të gjitha vërejtët e qytetarëve dhe informacionet nga mediat. Kërkoj nga qytetarët se gjatë tentimit të dërgojnë një lajm të mos rrezikojnë vetveten, pasi që duhet të kenë kujdes gjatë vozitjes, sepse duke tentuar ta dëshmojë një kundërvajtje të mos bëjnë një kundërvajtje tjetër”, tha Mehmeti, transmeton KP.

Drejtoresha e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Gentiana Begolli ka kërkuar që storjet mbi ngritjen e vetëdijesimit për sigurinë në trafik, parandalim të ngacmimeve seksuale, dhunës në familje, të zënë hapësirë më meritore në edicionet e lajmeve.

“Diskutuam se si mediat mund të kontribuojnë në avancimin e qytetarisë aktive, se si ne mund të proklamojmë në atë që qytetarët mund të raportojnë te ne që ata të jenë të mbrojtur nga mediat dhe identiteti i tyre të jetë i mbrojtur, në mënyrë që ata të kontribuojnë përmes fakteve të tyre, fotografive të ndryshme apo dëshmive të ndryshme që t’i ndihmojnë policisë në zbulimin apo parandalimin e aksidenteve apo zbulimin e krimeve më të rënda. Ajo çfarë nuk pata mundësi që të them në këtë takim është se kudo që plasohen këto lajme, për atë kërkuam që në këtë takim të jenë edhe përfaqësuesit e mediave, është me rëndësi se ku plasohet. E dimë që kemi zhvillime të mëdha politike në vend dhe me çfarë ballafaqohemi aktualisht, por është me rëndësi që kur kemi të bëjmë me jetën e qytetarëve dhe mirëqenien e tyre të mundohemi të jemi në ngritje të motivit për qytetarinë aktive. Po ashtu diskutuam dhe kërkuam që puna e gazetarëve që merren me këtë çështje jetike për të ardhmen tonë, të jetë më në krye dhe jo në fund të edicioneve”, tha Begolli.