Në këtë seancë morën pjesë një numër i madh ambasadorësh të vendeve të huaja, përfshirë ata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Francës, Gjermanisë, Maqedonisë së Veriut, Greqisë si dhe shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Ambasadori gjerman, Jorn Rohde, shprehu shqetësim të thellë për situatën politike, duke thënë se klasa politike në Kosovë po e zhgënjen popullin e vet. Ai krahasoi zhvillimet e fundit me një ndëshkim sportiv, duke e quajtur vendimin e gjykatës si një “karton të kuq” që ka pezulluar funksionalitetin e Parlamentit.
“Klasa politike po e zhgënjen popullin e vet dhe është shumë shqetësuese. Vendimi i djeshëm i gjykatës ishte, nëse flasim me gjuhën e futbollit, mund të themi si një karton i kuq sepse po e pezullon Parlamentin që të marrë vendime,” deklaroi Rohde.
Në të njëjtën linjë, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav, u shpreh se kishte ardhur në Kuvend me shpresë të madhe, por se rezultatet munguan sërish. Ai theksoi se krijimi i institucioneve është i domosdoshëm dhe urgjent.
“Ne erdhëm me shpresë të madhe këtu dhe fatkeqësisht asgjë nuk ndodhi sërish. Kosovës i nevojitet një Kuvend menjëherë, i duhet një qeveri e re që do ta ndërtonte një urë të re të fortë mes Kosovës dhe Brukselit që ta përshpejtojë rrugëtimin e saj drejt BE-së,” u shpreh Orav.
Zhvillimet e fundit kanë nxitur shqetësim të madh tek partnerët ndërkombëtarë të Kosovës, të cilët kanë rritur thirrjet për përgjegjësi politike dhe për veprime konkrete në funksion të stabilitetit demokratik dhe të ardhmes evropiane të vendit.