Është duke vazhduar puna intensive në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) për rinumërimin e 1410 vendvotimeve, kjo me vendim të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Ndërsa deri në orë 16:00 në QNR janë rinumëruar 639 vendvotime, e që në mëngjesin e sotëm u raportua se ishin rinumëruar 573 vendvotime.
Këtë e ka bërë të ditur për EkonomiaOnline, zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi i cili ka sqaruar se përfundimi i këtij procesi varet edhe nga dinamika e punës në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).
Edhe pse Elezi nuk ka dhënë afat se kur mund të dihen saktë rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbajtura më 6 tetor, por ai thotë se procesi i rinumërimit mund të përfundojë të hënën tjetër.
“Ne nuk mund ta themi me saktësi se kur përfundon procesi i rinumërimit të pjesës së mbetur të vendvotimeve, sepse kjo varet krejtësisht nga dinamika e punës në QNR, por edhe se sa ka qenë pjesëmarrja e votuesve në këto vendvotime”.
“Nëse shohim dinamikën e rinumërimit gjatë këtyre 5-6 ditëve, e cila është rreth 130 vendvotime brenda dy ndërrimeve, atëherë besojmë se deri të hënën tjetër mund të përmbyllim ky rinumërim”.
Numri i vendvotimeve që duhet të rinumërohen është rreth 1 410, ndonëse fillimisht në vendim të PZAP-it ishte shkruar së bëhet fjalë për 1 472 vendvotime.
Por, KQZ-ja pasi ka rishikuar listën e paraqitur në vendim ka vërejtur se 38 vendvotime ishin shënuar nga dy herë, 18 të tjera ishin rinumëruar më parë dhe 7 të tjera nuk përputhen me listën e vendvotimeve.