Rinumërimi i votave nuk e dëmton procesin zgjedhor

18.10.2019

Drejtori i Institutit të Demokracisë për Zhvillim (D4D), Shpend Emini, e ka vlerësuar të drejtë vendimin e KQZ-së për rinumërim edhe të 530 vendvotimeve. Ai ka bërë me dije se çdo dyshim rreth procesit zgjedhor duhet të vlerësohet dhe të rishikohet nga KQZ-ja. Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Emini ka thënë […]

Rinumërimi i votave nuk e dëmton procesin zgjedhor Foto: Qendra e Numërimit dhe Rezultateve (QNR)

Drejtori i Institutit të Demokracisë për Zhvillim (D4D), Shpend Emini, e ka vlerësuar të drejtë vendimin e KQZ-së për rinumërim edhe të 530 vendvotimeve.

Ai ka bërë me dije se çdo dyshim rreth procesit zgjedhor duhet të vlerësohet dhe të rishikohet nga KQZ-ja.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Emini ka thënë se rinumërimi i votave nuk e dëmton procesin zgjedhor.

“Ajo çka është e rëndësishme është se duhet të bëhet dallimi mes rinumërimit dhe tentimit të ndryshimit apo manipulimit gjatë numërimit të fletëvotimeve. Rinumërimi nuk e dëmton procesin zgjedhor pasi ka të bëjë me verifikimin e fletëvotimeve pas dyshimeve të ngritura. Organet përgjegjëse për drejtësinë zgjedhore duhet të punojnë dhe veprojnë në ato raste ku vërtetohet manipulimi, pra në rastet kur komisionarët kanë ndërhyrë në mënyrë të jashtëligjshëm në fletëvotim apo në formularë të tjerë”, ka thënë Emini.

Ai ka deklaruar se u takon institucioneve për menaxhimin e zgjedhjeve të vlerësojnë nëse ka bazë për rinumërim të përgjithshëm në nivel vendi, e jo partitive politike.

“Partive politike u takon të ankohen nëse kanë prova se procesi është dëmtuar dhe ka ndikim direkt në rezultate. Nuk duhet të ketë vonesa të paarsyeshme të përmbylljes së procesit. Krahasuar me zgjedhjet e viteve të kaluara, ka një përmirësim të dukshëm të punës nga ana e KQZ-së dhe institucioneve të tjera, andaj rinumërimi mund të ndodhë vetëm atëherë kur ka prova dhe bazë të fortë për t’i rinumëruar të gjitha vendvotimet”, është shprehur ai.

Emini ka folur edhe për ankesat e kandidatëve për deputetë ndaj komisionarëve partiakë për

bartje të votave te kandidatët e tjerë.

Ai ka deklaruar se në rast se vërtetohet se ka pasur vjedhje të votave për t’i ndryshuar rezultatet për një kandidat të caktuar brenda subjekteve politike, iu takon organeve të drejtësisë të ndërmarrin masa të parapara në kodin penal.

Emini ka treguar se për t’i ikur këtij fenomeni duhet të ndodhë centralizimi i numërimit të votave.

“Në lidhje me parregullsitë e shkaktuara gjatë numërimit, si organizatë (D4D) në vitin 2013 patëm rekomanduar që çështja e numërimit të centralizohet, pra që kutitë të mos hapen në vendvotime, por ato të barten, për shembull, në QNR dhe numërimi të bëhet aty, për t’u ikur parregullsive të mundshme, e sidomos manipulimeve të mundshme nga ana e komisionarëve”, ka thënë Emini.