Rektori i UP-së: Të lirohen menjëherë pronat e uzurpuara të Universiteti i Prishtinës
Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. Arben Hajrullahu, ka deklaruar se koha e uzurpimit ilegal të pronave të UP-së ka përfunduar dhe ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të të gjitha hapësirave të shfrytëzuara pa të drejtë.
Në një intervistë për mediumin publik RTK, ai theksoi se universiteti është në gjendje shumë më të mirë se më parë dhe se po punohet intensivisht që UP-ja të ecë në hap me zhvillimet bashkëkohore.
Rektori Hajrullahu prezantoi rezultatet e arritura gjatë mandatit të tij, si dhe vizionin për zhvillimin e mëtutjeshëm të UP-së, të bazuar në tri shtylla kryesore: rritjen e ndërveprimit ndërmjet njësive akademike, ndërkombëtarizimin dhe transformimin digjital.
Ai njoftoi se gjatë vitit të fundit janë nënshkruar mbi 100 marrëveshje të reja bashkëpunimi, përfshirë më shumë se 50 në kuadër të programit Erasmus+, duke mundësuar mobilitet të lartë të studentëve dhe stafit akademik.
Sipas tij, transformimi digjital i universitetit, i hartuar me mbështetjen e UNDP-së, synon ta bëjë UP-në më të qasshme, më transparente dhe të zvogëlojë dukuritë negative në proceset administrative.
Ai paralajmëroi gjithashtu nevojën për një pako sociale për punonjësit dhe theksoi se në të ardhmen pagat duhet të jenë në përputhje me performancën dhe angazhimin.Në fund, rektori theksoi se pronat e uzurpuara të UP-së, përfshirë ato pranë objektit të ri të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, duhet të lirohen urgjentisht dhe u bëri thirrje organeve të rendit që të veprojnë pa vonesa.
Intervista u transmetua në ditën kur Universiteti i Prishtinës shënoi 56-vjetorin e themelimit të tij me një ceremoni solemne.
