Rekord udhëtarësh në Aeroportin e Prishtinës, në janar mbi 21 për qind më shumë se vitin e kaluar

01.02.2024

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” ka njoftuar se ka përmbyllur një vit të suksesshëm me një numër udhëtarësh, asnjëherë të arritur më parë.

Rekord udhëtarësh në Aeroportin e Prishtinës, në janar mbi 21 për qind më shumë se vitin e kaluar Foto: Ilustrim

Sipas njoftimit, në muajin nëntor 2023 përmes aeroportit ka udhëtuar një numër prej 3 milionë udhëtarësh, ndërsa në fundvit ky numër ka shkuar në 3 milionë e 424 mijë e 883 udhëtarë.

Kjo është një rritje prej 14,37 për qind krahasuar me vitin paraprak dhe 23 mijë e 278 fluturime apo 7.5 për qind më shumë se sa në vitin 2022.

Numri i udhëtarëve dhe fluturimeve thuhet se po vazhdon me një trend të rritjes, ku në muajin janar 2024 janë shërbyer 287 mijë e 205 udhëtarë apo 21.9 për qind më shumë se sa në muajin janar 2023 dhe 996 fluturime apo 23.3 për qind më shumë krahasuar me janar 2023. Muaji janar 2023 kishte 235 mijë e 576 udhëtarë dhe 808 fluturime të shërbyera.

“Kjo rritje e jashtëzakonshme thekson përkushtimin e aeroportit për të ofruar përvoja të reja për udhëtarët e saj duke qenë të orientuar edhe në shtimin e destinacioneve apo rritjen e fluturimeve në destinacionet ekzistuese në vitin 2024”, thuhet në komunikatën për media.

Për të përmbushur kërkesat e udhëtarëve, Aeroporti i Prishtinës ka bërë të ditur se këtë vit ka shtuar destinacionet e reja Luxembourg, Riga, Izmir, Heraklion, Halmstad etj.