Rehabilitohet kanali i Ibër-Lepencit, Rizvanolli publikon pamjet
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, vizituan sot kanalin e Ibër-Lepencit, ku më 29 nëntor ndodhi një sulm tragjik përmes eksplozivëve, që synonte dëmtimin e këtij segmenti jetik për furnizimin me ujë.
Ministrja Rizvanolli ndau pamje të përfundimit të punimeve në shtratin e kanalit, duke theksuar se rehabilitimi është kryer brenda një muaji. Ajo falënderoi të gjithë ata që kontribuuan në rikthimin e funksionalitetit të kanalit, duke veçuar përkushtimin e shefit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU), Faruk Mujka.
“Puna e bërë në kohë rekord për të rehabilituar kanalin është dëshmi e përkushtimit dhe profesionalizmit të ekipeve të angazhuara. Falënderoj shefin e KRU-së dhe të gjithë ata që punuan pa u lodhur për këtë arritje,” tha Rizvanolli.
Kanali i Ibër-Lepencit është një segment kyç për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për qëllime industriale në Kosovë. Sulmi i 29 nëntorit u konsiderua një akt i rëndë, i cili mund të kishte pasoja të mëdha për komunitetet që varen nga ky burim.
Ministri Sveçla, nga ana e tij, theksoi rëndësinë e garantimit të sigurisë për infrastrukturën kritike të vendit dhe vlerësoi bashkëpunimin ndërinstitucional që bëri të mundur rehabilitimin e shpejtë të kanalit.