Regjistrimi i popullsisë kërkohet të shtyhet për vitin 2022

21.03.2021

Procesi i regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, i paraparë të mbahet në shtator të këtij viti, po kërkohet të shtyhet për vitin 2022. Kjo për shkak të pandemisë Covid-19 dhe mbajtjes së zgjedhjeve. Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), thonë se regjistrimi i popullsisë që ka një kosto rreth […]

Regjistrimi i popullsisë kërkohet të shtyhet për vitin 2022 Foto: Ilustrim

Procesi i regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare në Kosovë, i paraparë të mbahet në shtator të këtij viti, po kërkohet të shtyhet për vitin 2022.

Kjo për shkak të pandemisë Covid-19 dhe mbajtjes së zgjedhjeve.

Drejtues të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), thonë se regjistrimi i popullsisë që ka një kosto rreth 11 milionë euro është dashur të fillojë në muajin prill 2021, por që është shtyrë për në muajin shtator të këtij viti, raporton KosovaPress.

Megjithëse, edhe shtatori për zëvendëskryeshefin e ASK-së, Ilir Berisha është i pa papërshtatshëm, pasi siç thotë ai zgjedhjet lokale dhe veçanërisht pandemia Covid-19, ka ndikuar që të kërkohet në mënyrë institucionale që regjistrimi të shtyhet për muajin prill të vitit 2022.

Berisha thotë në një intervistë për KosovaPress, se në bazë të rekomandimeve të statistikave të kombeve të bashkuara të Eurostat dhe për të pasur një regjistrim të suksesshëm, kërkohet një periudhë tjetër për shkak të kushteve të pandemisë, e cila ndikon në kualitetin e regjistrimit të popullsisë.

“Ende mbetet si datë zyrtare shtatori i këtij viti, mirëpo duke parë që pandemia vazhdon të jetë prezent, dhe duke pasur në konsideratë që regjistrimi mbahet drejtpërdrejt me ekonomitë shtëpiake, të cilët e rekomandojnë kushte këto të pandemisë, atëherë edhe testimet që do të bëhen me radhë, do të jenë të ndikuara në këto kushte të pandemisë dhe të gjitha këto janë që ne tani për tani të përgatitemi që të kërkojmë në mënyrë institucionale që regjistrimi të shtyhet për prill të vitit 2022. Aktivitetet jemi duke i kryer të gjitha sipas planit, sipas një dinamike, mirëpo një pjesë e aktiviteteve është e ndikuar nga kushtet e Covid-19, edhe nga situata institucionale që kërkohet infrastrukturë ligjore”, thotë Berisha.

Nga regjistrimi i fundit i popullsisë i bërë në vitin 2011, numri i popullsisë rezidente në Kosovë, sipas të dhënave të ASK-së ka qenë 1,820,631 banorë.

Këtë regjistrim e bojkotuan serbët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit dhe ende nuk dihet nëse do të marrin pjesë në regjistrimin e ardhshëm të popullsisë.

“Çdoherë me ligj parashihet që regjistrimi të mbulon të gjithë territorin e Kosovës, ne jemi duke punuar dhe në bazë të programit kemi një agjendë që do të diskutojmë, do të komunikojmë me të gjitha komunitetet, me të gjithë akterët, duke u involvuar edhe Qeveria me gjithë mekanizmat e saj që të përfshihen. Mirëpo, edhe pse me ligj është i detyruar, pjesa tjetër mbetet çështje politike. Ne konsiderojmë që do të realizohet edhe në (veri) në gjithë territorin e Kosovës… më 2011 edhe pse kanë qenë të përfshira, kanë pasur bojkotime (komuniteti serb), pastaj është menduar një ligj për tjetër regjistrim, por megjithatë nuk është bërë regjistrim tjetër për pjesën veriore. Janë shfrytëzuar burime administrative, me anketa jo për qëllimin e regjistrimit të popullsisë, por të cilat i kemi nxjerrë dhe na kanë ndihmuar edhe numrat pak a shumë një vlerësim për popullsinë rezidente që ka qenë në pjesën veriore”, thotë ai.

Kostoja totale e regjistrimit llogaritet të jetë 11 milionë euro, mjetet këto të cilat janë ndarë nga Qeveria e Kosovës në shtator të vitit të kaluar.

“Kur themi që është caktuar data zyrtare dhe është nënshkruar koncept dokumenti, në koncept dokument janë të përfshira edhe kostoja e regjistrimit dhe qeveria i ka ndarë mjetet për regjistrimin e popullsisë sipas kërkesave tona. Kostoja e buxhetit përfshinë periudhën jo vetëm të aktiviteteve të regjistrimit në muajin e caktuar, por përfshinë paraprakisht edhe aktivitet të tjera, pajisje, aplikacione para regjistrimit dhe pas regjistrimit. Diku përafërsisht 11 milionë do të jetë kostoja e regjistrimit të popullsisë”, thekson Berisha.

Sipas ASK-së në këtë regjistrim nuk do të përfshihen edhe qytetarët nga diaspora.

Mësohet se numri i popullsisë ka shënuar rënie krahasuar me regjistrimin e fundit që është mbajtur më 2011. Drejtues të këtij institucioni parashohin një rënie të numrit popullsisë, pasi sipas të dhënave të ASK-së, popullsia e përgjithshme rezidente në fund të vitit 2019, ka qenë 1.782,115 banorë.