Ka përfunduar numërimi i votave nga ana e KQZ-së, deri më tani nga këto rezultate preliminare LDK dhe Nisma kanë shprehur pakënaqësi ndaj këtyre rezultateve duke dyshuar se janë bërë gabime teknike apo ndonjë manipulim.

Këto dy parti kanë kërkuar rinumërim të votave sidomos Nisma duke qenë se për një numër të vogël votash nuk po arrinë të kalojë pragun prej 5 për qind, ku deri më tani kjo parti në koalicion me AKR-në e Behxhet Pacollit ka marrë 39 mijë e 173 vota ose 4.93%.

Rinumërim të votave në nivel vendi ka kërkuar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, duke qenë se pas numërimit të mbi 99 për qind të votave ka marrë vetëm 197 mijë e 53 vota ose 24,82%.

Ndërsa i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Lëvizjes Vetëvendosje, ku zyrtarja e kësaj partie, Albulena Haxhiu ka thënë se partitë politike të cilat po kërkojnë rinumërim të votave, ato subjekte nuk kanë marrë mbështetje nga qytetarët dhe po kërkojnë të gjejnë shpëtim.

Ajo tha se Vetëvendosja së bashku me përkrahësit e saj nuk duhet asnjëherë të shqetësohen pasi që në qendrat e numërimit kemi personat më përgjegjës të cilët gjithmonë do të ruajnë vullnetin e qytetarëve.

“Që nga mëngjesi, kam pasur shumë mesazhe dhe telefonata nga qytetarë, miq e familjarë. Janë të shqetësuar lidhur me ndonjë tendencë për manipulim votash pas kërkesës për rinumërim. Qëndroni të qetë, mos u shqetësoni”, ka shkruar Haxhiu.

Po ashtu ajo ka shkruar se: “Ne kemi personat përgjegjës që janë gardianët e vullnetit të qytetarëve. Padyshim subjektet që nuk kanë marrë mbështetjen nga qytetarët, tentojnë të gjejnë shpëtim nga rinumërimi. Qytetarët kanë folur me 6 tetor.Vullneti i tyre do të jetësohet”.

Kujtojmë se Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 6 tetorit ka dalë e para me 202 mijë 532 vota ose 25,51% të tyre.