Reagon Qeveria e Kosovës për raportin e papunësisë nga Banka Botërore

  • 03.04.2019, 15:12

Qeveria e Kosovës ka reaguar ndaj raportit të publikuar dje nga përfaqësuesi i Bankës Botërore në Kosovë, për sa i përket humbjes së numrit të vendeve të punës në Kosovë në vitin 2018, për 17 mijë vende pune, duke e quajtur atë si plotësisht të pa vërtetë dhe i pa bazuar.

“Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, Banka Qendrore e Kosovës, por edhe Raporti Financiar për Shpenzimet e Buxhetit për vitin 2018, për zhvillimet makroekonomike në Kosovë flasin krejt ndryshe”, thuhet në reagim.

Në deklaratën për media, Qeveria i adresohet edhe opozitës, duke thënë se “e kuptojmë nevojën e kritikës së opozitës për Qeverinë, por jo me çfarëdo mjeti dhe nga çfarëdo niveli”, transmeton RTK.

“Nuk na befason paraqitja e përfaqësuesit të Bankës Botërore me këto shifra, por jemi befasuar me gatishmërinë e kryetarit të LDK, z. Isa Mustafa, me profesion ekonomist, Profesor Universitar dhe akademik, për shfrytëzimin e këtij informacioni, pa një analizë profesionale e kritike ashtu siç mendojmë se i takon”, vijon reagimi.

Duke cituar të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Qeveria pretendon se numri i të papunëve në vitin 2018 është zvogëluar për 11.611 persona, që do të thotë, shkalla e papunësisë është zvogëluar për 1% në krahasim me vitin 2017.

Sipas tyre, ecuritë makroekonomike në Kosovë në vitin 2018 ishin si vijon: norma e rritjes/shtimit/ekonomik 4.2%, investimet publike, rritje 13,1%, remitencat 6,0%, punësimi në sektorin publik 5,2%, investimet në sektorin privat 6,4%.

“Raporti në fjalë nuk e qartëson se cilat janë kriteret dhe metodologjia e përdorur për hartimin e një raporti me konstatimin përfundimtar se janë humbur 17 mijë vende të punës dhe ne si Qeveri, menjëherë kemi kërkuar informacione të sakta se cili është burimi dhe cilat janë metodat e punës në mbledhjen dhe paraqitjen e këtyre shifrave”, mbyllet reagimi i Qeverisë së Kosovës.

Të tjera