Ditë më parë SuharekaOnline në burime të thirrura brenda AAK-së kishte njoftuar se kryetari i Komunës së Suharekës njëherit kryetari i degës së AAK-së në Suharekë, Bali Muharremaj ka vendosur që ti hyjë garës për deputet të Kuvendit të Kosovës nëse shkohet në zgjedhje.

Sipas të njëjtave burime Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka vendosur që në listën e kandidatëve për deputetë të futen edhe kryetarët e komunave që udhëhiqen nga kjo parti.

Me këtë vendim, i bie që kryetarët e komunave të Klinës, Obiliqit, Deçanit, Gjakovës, Suharekës, Junikut dhe Rahovecit, do të futen në garë për zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme. Zenun Elezaj udhëheq me Komunën e Klinës, Xhafer Gashi me atë të Obiliqit, Ardian Gjini me Gjakovën, Smajl Latifi në Rahovec, Agron Kuçi në Junik dhe Bali Muharremaj qeverisë me Komunën e Suharekës.

E sot ka reaguar kryetari Muharremaj duke i quajtur të pavërteta informacionet që ai do të kandidojë për deputet në rast se shkohet në zgjedhje.

Reagimi i Bali Muharremajt vjen menjëherë pas mbledhjes së këshillit drejtues të AAK-së në Prishtinë.

“Mandatin si Kryetar i Komunës së Suharekës do ta vazhdoj me përgjegjësi të plotë, duke ju falenderuar për besimin e dhënë dhe bashkëpunimin i cili po vazhdon edhe më tutje.

Informacionet se unë do të kandidoj për deputet në zgjedhje të ardhshme, nuk janë të vërteta.

Jam i përkushtuar me sinqeritetin më të madh të vazhdoj si kryetar komune, dhe për këtë do ta dëshmoj përmes punës.” thuhet në reagimin e Bali Muharremajt.