Reagon Ministria e Mbrojtjes, thotë se ushqimi i ushtarëve të FSK-së mbetet i njëjtë por me kuzhinierë të huazuar

para 5 dite

“Të gjitha kuzhinat në kazermat e FSK-së janë duke funksionuar si çdo ditë tjetër”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Reagon Ministria e Mbrojtjes, thotë se ushqimi i ushtarëve të FSK-së mbetet i njëjtë por me kuzhinierë të huazuar Foto: Ilustrim

Ky reagim nga Ministria, erdhi pasi u raportua se dreka e servuar këtë të hënë ndaj ushtarëve të FSK-së, s’ka qenë e zakonshme dhe e kompletuar, krahasuar me ditët e kaluara.

Megjithatë, në njoftimin e tyre thuhet se ushqimi aktualisht po përgatitet nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Po ashtu, thuhet se kjo situatë do të jetë afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional.

“Pjesëtarëve të FSK-së janë duke ju shërbyer shujtat ditore të zakonshme, i vetmi dallim është që ushqimi është përgatitur nga kuzhinierët e huazuar nga Qendra Studentore si dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Kjo do të jetë periudhë tranzitore afatshkurtër, deri në rekrutimin e stafit profesional. Synimi i Ministrisë së Mbrojtjes është që përmes procesit të rekrutimit të kuzhinerëve sa më parë të vendosim vet-qëndrueshmëri dhe mos varësi nga proceset e stërzgjatura të prokurimit si dhe nga operatorët ekonomik të pakët në Kosovë që mund të ofrojnë shërbime të tilla, duke i dhënë zgjidhje një herë e mirë një problemi të kahmotshëm”, thuhet në njoftimin e plotë të Ministrisë.

Nga sot kompanisë së kontraktuar për ushqimin e ushtarëve të FSK-së i ka skaduar kontrata.

Prandaj, për të mos i lënë ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës pa ushqim, shteti është detyruar të gjejë zgjidhje të përkohshme për përgatitjen e ushqimit.