Çlirim Gashi
09.04.2019, 20:22

Reagon Lista Serbe pas shkarkimit të ministrit Todosijeviq nga Haradinaj

Shkarkimi i ministrit serb Ivan Todosijeviq është ‘prova’ më e mirë se Prishtina nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën, thonë nga Lista Serbe.

Lista Serbe ka reaguar  pas vendimit të sotëm të kryeministrit Ramush Haradinajt për të shkarkuar ministrin serb Ivan Todosijeviq nga qeveria, duke thënë se ky është një “vazhdim i presionit të liderëve shqiptarë ndaj popullit serb dhe Listës Serbe”.

“Vendimi që për shkak ‘të vërtetës’ të shkarkohet Ivan Todosijeviq është ‘prova’ më e mirë se Prishtina nuk është e gatshme të përballet me të kaluarën, por edhe me vendosmërinë e Listës Serbe që gjithmonë të mbrojë interesat serbe në çdo vend”, thuhet në kumtesë.

Ndryshe, ministri i Administratës së Pushtetit Lokal në datën që kujtonte 20-vjetorin e masakrës së Reçakut, ka bërë një deklaratë diskriminuese dhe të turpshme, reagon GazetaMetro.

Ai nuk ka ngurruar t’i quajë shqiptarët terroristë, ndërsa masakrën e Reçakut e quajti të trilluar.

Menjëherë pas kësaj, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkarkuar Ivan Teodosijeviq.  Sipas Haradinajt, është e pa tolerueshme gjuha e përdorur nga ministri serb për masakrën e Reçakut.

“Është e pa tolerueshme një gjuhë e tillë e urrejtjes nga ministri në fjalë. Është e pakuptimtë se si një deri sot koleg i yni shprehet me aq injorancë, urrejtje dhe fyerje për viktimat e Reçakut, viktimat e tjera të regjimit të Millosheviqit dhe akceptimin dhe miratimin që ai i bëri terrorit të këtij regjimi.

Kjo nuk arsyetohet. Në Qeverinë që unë e drejtoj nuk do të ketë vend për askënd që në çfarëdo mënyre fyen të tjerët në bazë etnike, racore, fetare apo tjetër, e as ata që synojnë të akceptojnë politikat e tilla. Vendimi hyn në fuqi menjëherë”, ka deklaruar Haradinaj.