Lajme

Reagon Lëvizja Vetëvendosje: Qeverinë do ta formojë LVV-LDK

Vendimi i PZAP-it për anulimin e votave të ardhura nga Serbia si dhe vendimi për rinumërimin e 1472 vendvotimeve ka rritur shpresën e koalicionit NISMA-AKR-PD për kalimin e pragut e ndoshta edhe futjen e saj në qeverinë e re.

Deri dje para se të merret vendimi nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), qeveria e ardhshme pritej të formohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), por tani siç duket kanë ndryshuar matematikat dhe në qeveri duket se do të kyçet edhe NISMA Socialdemokrate.

Lëvizja Vetëvendosje menjëherë ka reaguar sa i përket votave nga Serbia duke bërë kështu që më pas të flitet edhe për mos mundësinë e formimit të Qeverisë vetëm nga LDK dhe VV.

Sekretari i Vetëvendosjes, Erzen Vraniqi ka thënë për “Bota Sot” se pa pasur certifikim nuk mund të flitet për përbërjen dhe formën e qeverisë.

“Nuk kemi rezultat, nuk kemi certifikim, pas certifikimit, i cili do ta etabloje situatën në terën mund të flasim për përbërjen dhe formën e qeverisë.

Tash për tash dihet se Qeveria do të formohet nga Lëvizja VETËVENDOSJE dhe LDK” ka thënë Vraniqi.

Me kalimin e pragut nga NISMA-AKR, Vetëvendosje humb 3 deputetë, LDK një deputet, PDK një deputet dhe AAK një deputet.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.