Reagon Agjencia “Sharr Travel”, ku ishin të punësuar dy të rinjtë që vdiqën në autostradë

Në orët e para të mëngjesit dy punëtorë të Agjencisë së Udhëtimeve “Sharr Travel”, Gentrit Gollopeni dhe Arianit Bytyqi duke kaluar nga një trase në trasenë tjetër kanë humbur jetën në autostradën “Ibrahim Rugova”.

“Me datë 29.06.2019 rreth orës 00:07 minuta  përmes Qendrës Rajonale të Komunikimit , Policia është informuar se në autostradën “Ibrahim Rugova” në segmentin Suharekë- Duhël  në afërsi të fshatit Sllapuzhan, dy persona  duke kaluar mbi  urën me nr. 11 në autostradë  duke kaluar  nga një trase në trasenë tjetër të autostradës kane rënë në humnerë dhe me këtë rast si pasojë kanë gjetur vdekjen”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Lidhur me këtë rast, Prokuroria e Krimeve të Rënda ka konstatuar se dy personat vdiqën pasi dolën nga autobusi i ndalur jashtëligjshëm në autostradë.

Përmes një postimi në Facebook, Sharr Travel ka njoftuar për vdekjen e dy punëtorëve dhe u ka shprehur ngushëllime familjarëve dhe miqve të viktimave.

“Me pikëllim të thell ju njoftojm që dy puntorët e agjensisë tonë Arianit Bytyqi dhe Gentrit Gallopeni kan ndërruar jetë pas një fatkeqesie . Ngushllime për familjet , miqtë dhe stafin”, ka shkruar Agjencia e Udhëtimeve “Sharr Travel”.

Bëhet e ditur se me urdhër të prokurorit 3 (tre) shoferë të autobusave të cilët janë ndalur në autostradë në kundershtim me ligjet e komunikacionit rrugor, janë ndaluar në mbajtje për 48 orë.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.