Herolind Bytyçi
15.05.2019, 13:15

Raporti përfundimtar për gylenistët – kërkohet hetimi i Presidentit

Pas 10 muajsh, është finalizuar raporti i Komisionit Hetimor Parlamentar për ndriçimin e rastit të dëbimit të gjashtë shtetasve turq. Dokumenti që ka më shumë se 80 faqe, i siguruar nga Gazeta Express, saktëson 31 shkelje të cilat sipas deputetëve janë bërë në ditën e 29 marsit. Gjithashtu janë dhënë edhe disa rekomandime.

Presidenti i Kosovës ka shpëtuar nga ky komision, e aty saktësohet se Hashim Thaçi nuk ka dhënë dëshmi që vërteton ose mohon se ka ditur për operacionin. Një gjë e tillë u konsiderua si e pajustifikueshme.

Deklaratat që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i bëri në komisionin parlamentar për hetim të deportimit të gjashtë shtetasve turq, e shpëtuan atë nga raporti që u finalizua sot nga deputetët.

Mospërgjigja e tij në pyetjet që iu bënë, ka bërë që në raportin përfundimtar për të të shkruhet se ka qenë e pamundur konstatimi për njohuritë e tij për operacionin, pasi që i njejti një gjë të tillë as nuk e ka mohuar as nuk e ka pohuar.

“Komisioni nuk ka mundur të marrë dëshminë e presidentit, z. Hashim Thaçi, lidhur me këtë pikë dhe nuk i është dhënë ndonjë provë tjetër që vërteton ose mohon se presidenti kishte qenë paraprakisht në dijeni për operacionin në fjalë”.

Një gjë  e tillë u konsiderua si e pajustifikueshme pasi që në asnjë ligj nuk parashihet që dëshimitari të rezufojë që të përgjigjet.

Në konferencën që u mbajt për media pasi që u finalizua raporti, deputetët kanë kërkuar nga Prokuroria Speciale që të hetojë presidentin.

Kryetari i komisionit, Xhelal Sveçla, tha se tashmë është bërë e qartë që urdhërdhënësi për këtë çka ka ndodhur është presidenti i vendit.

“Tashmë është bërë e qartë se urdhërdhënës për këtë çfarë ka ndodhur është vet presidenti Hashim Thaçi”, ka thënë ai.

Sipas tij, prokuroria duhet të kryejë punën dhe të ftojë presidentin dhe bartësit e institucioneve , nga  AKI dhe Policia e Kosovës, meqë skenari është nga ta.

Në raportin që ka siguruar Gazeta Express shkruhet se ka qenë e pamundur që të sigurohen prova nga ana e Komisionit në bazë të kërkesave që iu janë drejtuar AKI-së dhe Policisë së Kosovës.

Sipas asaj që shkruhet në raport, bëhet e ditur se nuk është marrë përgjigje nëse shtetasit turq paraqisnin rrezik për sigurinë kombëtare, pasi që AKI  nuk i ka përcjellë dokumentet që e vërtetojnë një gjë të tillë.

Nga policia, Komisioni po thotë se nuk kanë marrë listën e provave të cilën e kanë kërkuar. Ato sipas tyre janë:

4 imazhe foto në CD të datës 29.03.2018 nga platforma e vjetër, 2 CD me nga 9 inçizime të kamerave nga platforma e terminalit të vjetër dhe terminalit të VIP të datës 29.03.2018. Mosdorëzimin e ketyre provave Policia e Kosovës e ka arsyetuar me faktin se të njëjtat janë dorëzuar në IPK. 

Inçizimet e bisedave telefonike ndërmjet zyrtarit policor dhe zyrtarit të AKI-së gjatë aksionit. Gjitashtu, edhe në këtë rast Komisioni është njoftuar se bisedat telefonike të zyrtareve të lartcekur nuk i posedon zyrtari policor por ato mund të merren në postë.   

Janë më shumë se 26 persona të cilët janë ftuar në intervistim, ndërkaq, lista fillon me krerët e shtetit.

Deputetët kanë hartuar raportin të bazuar në tri lloje të ndryshme të burimeve faktive që kanë qenë në dispozicion.

“Kopje të dokumenteve dhe komunikimeve, të natyrës primare, të dorëzuara nga institucionet shtetërore që kanë qenë të përfshira në dëbimin e gjashtë shtetasve turq;

Raporte zyrtare të nxjerra prej institucioneve mbikëqyrëse, të cilat e kanë marrë në shqyrtim këtë rast të dëbimit; dhe

Transkripte nga intervistat e dëshmitarëve të dëgjuar drejtpërsëdrejti prej Komisionit, lidhur me rolin e tyre personal, ose rolin e institucioneve të cilave u përkasin, në procesin e dëbimit”

Në bazë të këtyre provave, komisioni kanë bërë ttë ditur se disa prej tyre kanë qenë në mospërputhje të dukshme me njëra tjetrën, sidomos, në disa pohime të dëshmitarëve të intervistuar drejtpërdrejtë prej Komisionit.

Kjo sipas raportit thuhet se mospërputhjet në mes të provave kanë qenë pengesë serioze për arritjen e një konstatimi.

Në raport është filluar me konstatimin e AKI-së, se gjashtë shtetasit turq përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare, duke thënë se kjo nuk është konstatuar pas provave që janë dhënë nga AKI./Express/