Raporti i BE-së zbulon ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhje, por përmend edhe kritikën e Grenell ndaj Kurtit

para 34 dite

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian (EU EOM) prezantoi javën e kaluar raportin përfundimtar për zgjedhjet parlamentare në Kosovë, ku u theksuan ndërhyrjet e jashtme nga Serbia në procesin zgjedhor.

Raporti i BE-së zbulon ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhje, por përmend edhe kritikën e Grenell ndaj Kurtit

Anëtarja e Parlamentit Evropian, Natalie Loiseau, foli për tendencat e vërejtura për të ndikuar në votim nga shteti serb.

Megjithatë, një detaj tjetër i rëndësishëm nga ky raport duket se ka kaluar pa u vënë re nga shumica e mediave në Kosovë. Përveç ndërhyrjes së Serbisë, raporti përmend edhe ndërhyrjen në fushatë të të emëruarit të Shteteve të Bashkuara për misione speciale, Richard Grenell, shkruan KosovaNews.

Në faqen 24 të raportit të EU EOM thuhet: “Përveç kësaj, ndërhyrja në fushatë u vu re nga i dërguari i Shteteve të Bashkuara për misione speciale, Richard Grenell, i cili kritikoi kryeministrin Albin Kurti për mosqenien një partner i besueshëm i Shteteve të Bashkuara.”

Raporti citon postimet e Grenell në platformën X (ish-Twitter) të datave 3 dhe 7 shkurt 2025, ku ai kritikonte Qeverinë e Kurtit si “jo të besueshme” dhe deklaronte se “marrëdhëniet nuk kanë qenë kurrë më të ulëta”.

Kujtojmë se në kulmin e fushatës zgjedhore, Richard Grenell publikoi një koment të gjatë në “X” duke u bërë thirrje qytetarëve të mos mashtroheshin nga deklaratat e Kurtit, duke e cilësuar kreun e Vetëvendosjes si jo partner të besueshëm të SHBA-ve. Kjo deklaratë u shpërnda edhe nga Donald Trump Jr.

Deklaratat e Grenell morën jehonë të madhe nga opozita dhe një pjesë e mediave në Kosovë, duke u përdorur si pjesë e fushatës kundër kryeministrit Kurti.

Etiketat

Ofertat e fundit