Për dallim nga një ditë më parë, kur ishin refuzuar propozimet që në rastin “Veteranët” të dëgjohen si dëshmitarë Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Isa Mustafa, ndryshe është vendosur në seancën e së premtes.
Në këtë seancë, është vendosur që njëri prej tre figurave të larta politike në vend, të dëgjohet si dëshmitar në këtë proces gjyqësor.
Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pritet të dëgjohet në seancat e radhës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Këtë e ka propozuar mbrojtësi i Shkumbin Demalijaj, avokati Arianit Koci, e i cili propozim është aprovuar nga trupi gjykues, i udhëhequr nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj. Seanca e radhës është caktuar më 21 shkurt.