Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbajtur sot një konferencë për media, ku ka folur për qëndrimin e Aleancës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

Haradinaj, ka thënë se AAK e mbështete delegacionin e Kosovës për takimin në Washington më 27 qershor dhe se dialogu duhet t’i respektojë të paktën tri parime.

“Sot ju kam ftuar të flasë për çështjen e dialogut. AAK vlerëson se Kosova ka definim të qartë për këtë proces, por duhet t’i përmbahemi edhe parimit të integritetit territorial të Kosovës, parimit për karakterin unitar të pushtetit në Kosovë si dhe parimit për respektimin e kushtetutshmërisë”, tha Haradinaj.

“Këto janë tri parime me të cilat ne si Aleancë përkrahim delegacionin e Kosovës në dialog”, shtoi ai.

Haradinaj theksoi se këtë format të dialogut e përkrah edhe Kryeministri Avdullah Hoti.

“Ne mbajmë shpresë që të zhbllokohet nyja e këtij procesi dy dekadësh. Aleanca mbështetë delegacionin e Kosovës për takimin në Uashington”, tha Haradinaj para mediave.