Kryeministër në detyrë Ramush Haradinaj dorëhiqet nga posti i deputetit, KQZ e dërgon zëvendësimin e tij

Kryeministri në largim, Ramush Haradinaj, nuk do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës si deputet në legjislaturën e shtatë, me këtë rast Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka dërguar në Presidencë dhe në Kuvendin e Kosovës njoftimin për zëvendësimin e tij, i cili pritet të jetë Gazmend Abrashi.

Këtë e ka bërë të ditur për Gazetën Metro, zëdhënësi i KQZ’së Valmir Elezi, i cili tha se të premten është dërguar në Presidencë dhe në Kuvend njoftimi për kandidatin e radhës për deputet nga koalicioni AAK-PSD, i cili do të zëvendësojë Haradinajn pas dorëheqjes së tij.

‘Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dërguar të premten në Presidencë dhe në Kuvend njoftimin për kandidatin e radhës për deputet të Kuvendit të Kosovës nga subjekti politik AAK – PSD Koalicioni 100% Kosovë, i cili e zëvendëson z. Ramush Haradinaj, pas dorëheqjes së tij’, ka thënë Elezi.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit ka arritur të fitojë 76 mijë e 163 vota, ndërsa kandidati i radhës i cili pritet të marrë mandatin e deputetin në vendin e tij është Gazmend Abrashi me 6 mijë e 704 vota të fituara.

Ditë më parë Haradinaj së bashku me deputetët nga radhët e AAK’së kanë arritur në Kuvendin e Kosovës, ku në hyrje të Kuvendit kreu i AAK’së dha deklaratën e tij para medieve, i cili zyrtarisht tha se ka dhënë dorëheqje nga posti i deputetit.

‘Jo unë kam ardhur vetëm t’i shoqëroj kolegët nga partia, sepse kam dhënë dorëheqje nga posti i deputetit dhe për këtë e kam njoftuar edhe KQZ-në dhe organet e Kuvendit’, ka thënë ai.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.