Rama: Jemi me Kosovën, por duhet koordinim i ngushtë me aleatët

09.02.2024

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka quajtur të pakuptimtë debatin në Këshillin e Sigurimit në OKB mes Kosovës dhe Serbisë për dinarin serb.

Rama: Jemi me Kosovën, por duhet koordinim i ngushtë me aleatët Foto: Ilustrim

Përmes një postimi në rrjetin social X (ish-Twitter), ai tha se të dyja shtetet duhet të përqendrohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera që përfitojnë jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm.

“Ishte një seancë pa kuptim. Këshilli i Sigurimit i OKB-së është e qartë se nuk është vendi për asgjë që lidhet me Kosovën. Si dy vende sovrane që aspirojnë anëtarësimin në BE, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen plotësisht në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të fokusohen në arritjen e marrëveshjeve për qarkullimin financiar, shërbimin postar, taksimin e dyfishtë dhe të gjitha çështjet e tjera që përfitojnë jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm, duke siguruar edhe një të ardhme paqësore për brezat e ardhshëm”, shkroi Rama, raporton Klankosova.tv.

Kreu i qeverisë shqiptare poashtu tha se Shqipëria do të vazhdojë t’i qëndrojë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, mirëpo kërkoi nga liderët e Kosovës që të koordinohen ngushtë me aleatët.

“Ndërsa qëndrojmë pranë Kosovës në parandalimin e çdo kërcënimi të jashtëm, Shqipëria do të vazhdojë t’i theksojë lidershipit kosovar rëndësinë e koordinimit të ngushtë me aleatët e saj kryesorë. Qëndrimi i palëkundur dhe i vazhdueshëm së bashku me ta tregon ndjenjën e vizionit dhe përgjegjësisë shtetërore, ndërkohë që çdo rast i qëndrimit të vetëm në rrugën e njohjes së plotë e zbeh pozitën e vendit në sferën publike të marrëdhënieve ndërkombëtare”, ka shkruar kryeministri Rama.