Raka flet për variantin e ri të COVID-it, faktorët e përhapjes sipas tij edhe mos-respektimi i masave nga politikanët
Në gjithë botën, por edhe në vendin tonë, tashmë është shfaqur varianti i ri i COVID-19. Në një përgjigje për IndeksOnline, mikrobiologu, Lul Raka ka thënë se kjo gjë është një dukuri e zakonshme tek viruset ARN në të cilën bën pjesë edhe SARS-CoV2. “Tashmë ka pasur afër 4000 mutacione në proteinën xhembore të këtij […]
Në gjithë botën, por edhe në vendin tonë, tashmë është shfaqur varianti i ri i COVID-19.
Në një përgjigje për IndeksOnline, mikrobiologu, Lul Raka ka thënë se kjo gjë është një dukuri e zakonshme tek viruset ARN në të cilën bën pjesë edhe SARS-CoV2.
“Tashmë ka pasur afër 4000 mutacione në proteinën xhembore të këtij virusi, por vetëm një numër shumë i vogël i tyre kanë patur rëndësi në ndryshimin e virusit. Sidoqoftë, disa mutacione ose kombinime të mutacioneve mund t’ia sigurojnë virusit një përparësi selektive, siç është përhapja më e shpejtë. Në nivelin global, sot po qarkullojnë variante të ndryshme të koronavirusit. Varianti britanik, i quajtur B.1.1.7 u identifikua me shumë mutacione në vjeshtën e vitit 2020. Që atëherë është zbuluar në shumë vende të botës, përfshirë edhe 3 raste në Kosovë. Fillimisht nuk pati ndonjë dallim të rëndësishëm në pasqyrën klinike dhe vdekshmërinë e shkaktuar nga varianti i ri”, ka thënë Raka.
Ai ka thënë se në javën e fundit, kryeministri britanik, bazuar në raportet preliminare të hulumtimeve, deklaroi se ky variant mund të shoqërohet me një rrezik më të lartë të vdekshmërisë krahasuar me viruset e varianteve të tjerë. Në Afrikën e Jugut, një variant tjetër i quajtur B.1.351 u zbulua në tetor 2020. Po ashtu, një variant tjetër i quajtur P.1 u identifikua në Brazil, por që ky ky variant sipas Rakës, përmban një sërë mutacionesh shtesë që mund të ndikojnë në aftësinë e tij për t’u njohur nga antitrupat.
“Të gjitha këto variante përhapen më lehtë dhe më shpejt (deri 70%) krahasuar me variantet e tjera duke shkaktuar rritjen e numrit të rasteve të reja. Kjo rritje mund të shtojë numrin e pranimeve në spital, që do të ngarkojë më shumë kapacitetet spitalore dhe mund të shkaktojë potencialisht më shumë vdekje. Deri më tani, studimet sugjerojnë që antitrupat e gjeneruar përmes vaksinimit me vaksinat e autorizuara aktualisht i njohin këto variante. Informatat e tanishme po përditësohen çdo ditë me detaje të reja shkencore”.
Sa i përket faktorëve favorizues të përhapjes në Kosovë, ai përmend edhe fillimin e fushatës parazgjedhore në janar, ku asnjë pari nuk respektoi masat parandaluese.
“Mund të jetë katalizator i fuqishëm i përhapjes më të shpejtë të rasteve të reja, të cilat gradualisht mund të mbizotërohen nga varianti i ri i virusit. Intensifikimi i fushatës gjatë ditëve në vijim me grumbullimin e qindra, e në disa raste edhe mijëra simpatizantëve në objekte të mbyllura në kohë pandemie e rrit edhe më shumë këtë rrezik. Qasja e tillë është e papranueshme dhe kërcënon shëndetin publik e individual të qytetarëve të Kosovës. Liderët politikë duhet ta kenë të qartë se jeta e simpatizantëve të tyre është më e vlefshme sesa vota e tyre. Prandaj, ata duhet të prijnë në zbatimin e masave parandaluese”, thotë mikrobiologu.
Ndërsa Raka numëron edhe masat për të parandaluar dhe kontrolluar përhapjen e variantit të ri janë:
“Respektimi rigoroz i masave parandaluese: maskë, distancë, higjienë e duarve, shmangie e qëndrimit në turma. Personat që kanë çfarëdo lidhje epidemiologjike me rastet me variantin më të ri të virusit ose histori udhëtimesh në zonat e prekura duhet të identifikohen menjëherë për t’u testuar, izoluar dhe ndjekur kontaktet e tyre. Ngritja e kapaciteteve të sekuencimit gjenetik në IKSHPK”./IndeksOnline/