Qytetarët mbështesin veprimet e qeverisë në veri

01.07.2023

Qytetarët e Mitrovicës po i mbështesin veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri. Ata thonë se prezenca e shtuar e policisë në atë pjesë, pastaj arrestimet dhe veprimet tjera në veriun e vendit, janë në kuadër të Kushtetutës dhe mandatit ligjor, si dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie. Sipas tyre, […]

Qytetarët mbështesin veprimet e qeverisë në veri Foto: Ilustrim

Qytetarët e Mitrovicës po i mbështesin veprimet e Qeverisë së Kosovës në veri. Ata thonë se prezenca e shtuar e policisë në atë pjesë, pastaj arrestimet dhe veprimet tjera në veriun e vendit, janë në kuadër të Kushtetutës dhe mandatit ligjor, si dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve pa dallim etnie.

Sipas tyre, qeveria edhe në planin ndërkombëtarë është duke vepruar drejt, sepse veprimet e saj janë në interes të përgjithshëm.

Banori i Mitrovicës, Nazmi Fejza thotë për KosovaPress se Kosovës më në fund po i vie era shtet.

Ai shprehet se është ithtar i flakët i zbatimit të ligjit dhe sipas tij, kushdo që nuk dëshiron ta respektojë ligjin, duhet të përgjigjet.

Asnjëri që mban pozita politike, shtoi ai, nuk duhet të jetë servil ndaj askujt, qofshin ata edhe ndërkombëtarët, sepse siç tha ai, duhet të mbrohen interesat e shtetit në radhë të parë.

“Është duke i ardhur era Kosovës shtet, për shkak se ka filluar më në fund të zbatohet ligji…Ata që duan të jetojnë në Kosovë duhet ta respektojnë shtetin dhe ligjet e Kosovës. Ata që nuk duan ta respektojnë ligjin dhe kushtetutën, duhet të përgjigjen… Unë jam ithtar i flakët i zbatimit të ligjit. Çdo pushtetar, qoftë ekzekutiv, qoftë legjislativ, i cili e zbaton ligjin, e ka përkrahjen time të parezervë… Nuk duhet asnjë qytetar që ka pozita politike, të jetë servil ndaj askujt. Duhet t’i mbrojë interesat e shtetit, sepse për këtë arsye janë zgjedhur. Bashkësia Ndërkombëtare duhet të jetë më realiste… sepse nuk kanë të drejtë që janë duke u pozicionuar gabueshëm… Kosova është projekt i perëndimit, projekt amerikan dhe një produkt të veten, Amerika asnjëherë nuk e shkatërron dhe rrezikon”, thotë Fejza.

Mitrovicasi tjetër, Esat Azemi i quajti të drejta veprimet e qeverisë në veri të Kosovës, duke thënë se i mbështet plotësisht ato.

Sipas tij, duke i dëgjuar ndërkombëtarët, krerët e UÇK-së sot ndodhen në Hagë, ndërsa shteti i Kosovës ka humbur mijëra hektarë tokë.

“Sigurisht që i mbështesim, sepse qeveria është dukë vepruar vetëm sipas kushtetutës… Këto adete na i kanë mësuar e bërë ndërkombëtarët, e tash cka po duan, pse mos me vepru, pse mos me arrestu një kriminel… Duke i dëgjuar ndërkombëtarët shkuam në Hagë, Maqedonia na i mori disa hektarë tokë, edhe në Mal të Zi 8 mijë e 200 hektarë… Unë falënderoj Zotin që i ka dhuru Kosovës një njeri si Albin Kurti”, thekson Azemi.

Ndërkaq, Nuredin Dinarama, duke folur për situatën e përgjithshme të sigurisë në veri, potencon se ajo nuk ka qenë asnjëherë më e mirë sesa tani.

Ai apelon te të gjitha partitë që të bëhen bashkë dhe ta mbështesin kryeministrin Kurti, edhe nëse Kosova sanksionohet.

“Situata kurrë s’ka qenë më e mirë… Sigurisht që po (i mbështes veprimet e qeverisë). Këto janë banda kriminale… Opozitë e të gjithë çka janë duhet me përkrahë, me qenë në një rrugë, me ja ndihmu. Kurrë punët më mirë s’i kemi pasur… Në të gjitha komunat po valëviten flamujt e Kosovës, siguria është në nivel, që kurrë s’ka qenë… Po ata (ndëkombëtarët) kurrë s’na kanë përkrahur,… O ne t’bëhet se më fukarallëk nuk bëhet. Janë njerëz të vendosur, deri në fund kemi me shku kismet prej Zotit”, thotë ai.