Taksa 100% Qytetarët ankohen për rritje çmimesh të produkteve në prag të festave

Jemi në prag të festave të fundvitit dhe se çmimet e produkteve të konsumit kanë shënuar rritje, për shkak të ardhurave të vogla mujore qytetarët po ankohen pasi që këto të ardhura po ia pamundësojnë që të blejnë gjërat e domosdoshme të konsumit.

Sipas qytetarëve vendosja e taksës 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnje e Hercegovina ka ndikuar në ngritjen e çmimeve.

Një qytetare ka thënë se nuk po arrijnë t’i mbulojë gjitha shpenzimet, derisa tha se i duhet t’i anulojë disa produkte.

“Vjet ka pasur rritje, këtë vit po thonë se janë më lirë, nuk po di. Duhet me i lënë gjysmën e produkteve vetëm disa që duhet patjetër sepse nuk ta mbërrin me rrogën e Kosovës”.

Kurse një pensioniste tha se: “10 ose 20 për qind janë rritë në këtë vit. Për neve pensionistët po ndikon shumë. Pensioni nuk është rritë, por vetëm çmimet”.

Zyrtari i Lartë i Divizionit të Statistikave të Çmimeve në Agjencinë e Statistikave të Kosovës (ASK), Raif Gashi tha për Ekonomia Online se ka ngritje të çmimeve të produkteve të konsumit, si: mielli, drithërat, mishi dhe disa ushqime të tjera.

“Inflacioni mujor i matur nga indeksi i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte 0,2% në muajin nëntor 2019. Shkalla vjetore e inflacionit e matur në muajin nëntor 2019 me muajin nëntor 2018 ishte 1,7%. Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit është më i lartë për 0,2% në muajin nëntor 2019″.

“Kjo kryesisht është shpjeguar me ngritjen çmimeve të konsumit te nëngrupet e COI COP-it: qumështi, djathi dhe vezët 2,2%, perimet 3%, sigurimet 19.5%, ngritja prej 26% e çmimeve të sigurimeve të automjeteve çoi në një ngritje prej 0,1% të IHÇK-it, me një ndikim të përbashkët të këtyre nëngrupeve prej 0,3 për qind në IHÇK-të”.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.