Në këtë garë morën pjesë gjithsej 27 kadetë, të ndarë në tre skuadra, të cilët u përballën me sfida të shumta në terren të vështirë, duke testuar aftësitë e tyre fizike, mendore dhe taktike.

Qëllimi i garës ishte zhvillimi i qëndrueshmërisë, bashkëpunimit në grup dhe vendimmarrjes në kushte presioni – elemente kyçe për formimin e oficerëve të ardhshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Një veçori e rëndësishme e “Triumfit Dardan 2025” ishte pjesëmarrja e skuadrës nga Akademia Ushtarake e Turqisë, e cila u prit me entuziazëm dhe vlerësim të lartë nga organizatorët. Prania e tyre u cilësua si shembull i shkëlqyer i bashkëpunimit ushtarak ndërmjet Kosovës dhe Turqisë, duke forcuar miqësinë dhe shkëmbimin e përvojave profesionale midis dy ushtrive mike.

Gjatë zhvillimit të garës, kadetët u përballën me detyra të ndryshme taktike, orientim në terren, kalime pengesash dhe teste të qëndrueshmërisë fizike. Pavarësisht vështirësive, të gjithë pjesëmarrësit treguan disiplinë, vendosmëri dhe frymë kolegjiale, duke reflektuar nivelin e lartë të përgatitjes që ofron QSU.

Në përfundim të patrullës, të gjithë kadetët – përfshirë edhe ata nga Akademia Ushtarake e Turqisë – u vlerësuan për përkushtimin, vendosmërinë dhe shpirtin luftarak që treguan gjatë gjithë garës. Organizatorët theksuan se ky aktivitet forcon lidhjet arsimore dhe profesionale mes institucioneve të dy vendeve dhe dëshmon se sfidat e përbashkëta ndërtojnë miqësi të qëndrueshme dhe profesionalizëm të përbashkët.