Qeveria vendos masa të reja të reciprocitetit ndaj Serbisë

Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës ka vendosur masa të reja të zbatimit gradual të reciprocitetit ndaj Serbisë.

Vendim i Qeverisë së Republikës së Kosovës për plotësimin e masave të reciprocitetit me Serbinë:

Në mbështetje të nenit 92 paragrafi 4 dhe të nenit 93 paragrafët (1), (2) dhe (4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, duke u bazuar në nenin 4 paragrafi 2.1 të Rregullores nr. 05/2020 për Fushat e Përgjegjësisë Administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive dhe nenet 17 dhe 19 të Rregullores nr. 09/2011 të Punës së Qeverisë, dhe duke marrë parasysh Vendimet e Qeverisë nr. 01/14 të 20 marsit 2020 dhe nr. 01/20 të 31 marsit 2020, Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur më 30 maj 2020, nxjerr këtë:

VENDIM
për ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit nr. 01/20 të 31 marsit 2020 për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë

  1. Në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që:
    1.1. përdorin emra të vendeve ose përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikën e Kosovës dhe legjislacionin në fuqi;
    1.2. përmbajnë emra të vendeve në Republikën e Kosovës, por nuk përmbajnë emrin e shtetit;
    1.3. i referohen Republikës së Kosovës përveçse me emrin Republika e Kosovës; ose
    1.4. përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë ose sovranitetin e Republikës së Kosovës ose trajton Republikën e Kosovës si të pabarabartë.
  2. Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë të përdorë emrin dhe stemën e Republikës së Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare.
  3. Operatorët ekonomikë nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet me mallra që hyn në Republikën e Kosovës. Kërkesa për leje hyrëse i paraqitet zyrës ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi me letër ose përmes postës elektronike.
  4. Nuk mund të njihet si person juridik një shoqëri tregtare e themeluar sipas rregullave të autoriteteve në Serbi. Pa marrë parasysh formën e organizimit të saj në Serbi, një shoqëri e tillë mund të njihet, në përputhje me Ligjin nr. 06/L-016 për shoqëritë tregtare, si:
    4.1. biznes individual i personit fizik që kontrollon shoqërinë, kur ka një person të tillë; ose
    4.2. ortakëri e përgjithshme e personave fizikë që kontrollojnë shoqërinë, kur ka disa persona të tillë.
  5. Detyrohen të zbatojnë këtë vendim:
    5.1. Ministria e Financave dhe Transfereve;
    5.2. Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike;
    5.3. Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike;
    5.4. Agjencia e Ushqimit dhe e Veterinarisë;
    5.5. Dogana;
    5.6. Policia;
    5.7. Inspektorati i Tregut;
    5.8. Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve; dhe
    5.9. institucionet e tjera përgjegjëse.
  6. Ndryshohet, plotësohet dhe mbetet në fuqi për afat të pacaktuar Vendimi nr. 01/20 të 31 marsit 2020.
  7. Ky vendim hyn në fuqi ditën e nënshkrimit.
LEXO EDHE:  4 muaj punoi si vullnetare në Klinikën Infektive, përjashtohet nga konkursi i MSH-së

ARSYETIM

Më 31 mars 2020, Qeveria e Republikës e Kosovës ka nxjerrë Vendimin nr. 01/20 për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë. Masat e reciprocitetit ose veprimit të ndërsjellë janë institut i marrëdhënieve mes shteteve sovrane, i njohur nga parimet e përgjithshme të së drejtës ndërkombëtare dhe nga Marrëveshja e Përgjithshme për Tarifat dhe Tregtinë (GATT) e vitit 1947, e ndryshuar më 1994.

Vendimi nr. 01/20 ka synuar mënjanimin e barrierave tregtare jotarifore që autoritetet në Serbi kanë vendosur ndaj Republikës së Kosovës, duke përfshirë barrierat në transit, barrierat teknike dhe barrierat politike. Pika 3 e Vendimit ka paraparë rishikimin e periudhshëm të zbatimit dhe përshtatshmërisë së masave të reciprocitetit.

Një grup ndërinstitucional, i ftuar nga Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, ka vëzhguar zbatimin e masave dhe ka identifikuar barrierat e vazhdueshme dhe të reja në marrëdhëniet tregtare me Serbinë. Grupi ndërinstitucional ka dorëzuar një raport vlerësues më 28 maj 2020, në të cilin i ka rekomanduar Qeverisë këto masa:
— të lërë në fuqi Vendimin nr. 01/20 ose ta shfuqizojë me supozimin se masat nga vendimi janë detyrim i qartë ligjor për institucionet dhe se institucionet duhet të vazhdojnë t’i zbatojnë ato;
— të obligojë Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë emrin e shtetit në certifikatat fitosanitare dhe veterinare;
— të obligojë Doganën që në marrëdhëniet tregtare me Serbinë të mos pranojë dokumente të cilat: (i) i referohet Republikës së Kosovës me kodin “XK”; (ii) përmendin emrin e qytetit në Republikën e Kosovës, por nuk përmendin emrin e shtetit; dhe (iii) përdorin kombinime të pabarabarta të emrave të shteteve, si p.sh. “Republika Srbija” në njërën anë dhe “Kosovo” pa cilësimin republikë në anën tjetër; dhe
— të sigurojë se Inspektorati i Tregut do të largojë nga tregu produktet e Serbisë që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, duke u kushtuar vëmendje të veçantë shenjave kombëtare të konformitetit.

Grupi ndërinstitucional ka identifikuar tutje barrierën që autoritetet në Serbi kanë vendosur ndaj transportit të mallrave, duke u kërkuar operatorëve ekonomikë nga Republika e Kosovës që të pajisen me leje hyrëse nga zyra ndërlidhëse në Prishtinë para se të hyjnë në territorin e Serbisë.

Krahas gjetjeve të grupit ndërinstitucional, Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka vërejtur se autoritetet në Serbi nuk njohin personalitetin juridik të shoqërive tregtare të themeluara sipas ligjeve të Republikës së Kosovës.

Qeveria konstaton se barrierat e Serbisë po vazhdojnë të dëmtojnë eksportuesit dhe importuesit nga Republika e Kosovës dhe të shkaktojnë deficit tregtar për Republikën e Kosovës.

Rrjedhimisht, duke u mbështetur në parimet dhe arsyet e sipërcekura, Qeveria vendosi të plotësojë si në dispozitiv masat e reciprocitetit në marrëdhëniet me Serbinë” thuhet në njoftim.